Parregullsi në zgjedhjet në universitete, votime me vetëm një kandidat

Parregullsi në zgjedhjet në universitete, votime me vetëm një kandidat

Votimi për rektor, dekan, shefa departamentesh dhe Senate Akademike në universitete u shoqërua me parregullsi në kryeqytet.
Në universitetin e Tiranës dhe te Politekniku, media u përball me mungesë transparence dhe bllokim të raportimeve.
Procesi i votimit, i cili u hap në orën 8:00 të kësaj të premteje dhe u mbyll në orën 16:00, nuk pati pjesëmarrje të lartë, teksa u duk se jo të gjithë zgjedhësit ishin shfaqur me dëshirë për të votuar.
Nga gjashtë universitete shtetërore në Tiranë, vetëm te Universiteti i Arteve garonin për pushtetin e rektorit dy kandidatë, në të tjerët zgjedhjet zhvilloheshin pa kundërshtarë. Por, nëse stafi akademik ishte më aktiv në këtë proces, studentët u shfaqën më të tërhequr, për shkak se edhe pesha e votës e tyre është vetëm 10%.
Edhe pse ethet munguan te Universiteti i Tiranës, ku rektori Artan Hoxha kërkonte një mandat të dytë pa rival, njëjtë edhe në Universitetin Bujqësor, Fatbardh Sallaku, edhe për kandidatin e vetëm Agron Kasa, në Universitetin e Sporteve dhe Xheladin Dracini te Mjekësia, ashtu edhe te Politekniku me zv/rektorin Akli Fundo, që kërkon pa kundërshtar pozicionin e rektorit, rregullorja përcakton një kusht për vlefshmërinë e votave.
Kur në zgjedhjet për organet drejtuese të universiteteve ka vetëm një kandidat, fleta e votimit parashikon mënyrën e votimit me pro ose kundër. Dhe kur ka mbi 50% të votave kundër, nuk njihet rezultati dhe do duhet të përsëriten zgjedhjet.
Në Universitetin e Arteve, me 3 vota më shumë të pedagogëve fitoi Erald Bakalli përballë Artan Peqinit. Rezultat i ngushtë votash ishte dhe në Shkodër ku u zgjodh Tonin Gjuraj, duke i hequr mundësinë e një mandati të dytë rektores aktuale Rajmonda Kcirës dhe kandidates tjetër Nertila Ljarja.  Në Korçë me gati 50% të votave fitoi Lorenc Ekonomi në Universitetin Fan Noli, teksa u rendit në vend të dytë Robert Damo e pas tij Irena Nikaj. Në Durrës votat e pedagogëve kanë zgjedhur Shkëlqim Fortuzin si rektorin e “Aleksandër Moisiut” për katër vitet e ardhshme, në diferencë të ngushtë me profesorin Osman Metallën. Në Vlorë, në garën me tre kandidatë, fitoi Aurela Saliaj. Në Elbasan, me rreth 90% të votave u zgjodh Elvira Fetahu, që deri tani mbante postin e zv/rektores.
Edhe në Gjirokastër, fitorja është e sigurt për kandidatin e vetëm Jaho Cana.
Burimi