Padia e dytë/ Listat e mbyllura, ankimohet në Kushtetuese pakti PS-PD
Nisma Thurje ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese padinë për shfuqizimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, që u miratuan pak muaj më parë nga Kuvendi me konsensusin e PD-PS.
Endri Shabani, në një komunikim për mediat, tha se ndryshimet e miratuara nga Parlamenti i heqin një të drejtë shqiptarëve që e fituan në 2021, ku 1.3 mln zgjedhës patën të drejtën që të zgjedhin kandidatët e tyre, përmes votës preferenciale.
“Edi Rama dhe Sali Berisha mendojnë se vetëm ata të dytë e kanë të drejtën të zgjedhin deputetët, ne mendojmë se kjo është e drejtë e shqiptarëve, përmes listave të hapura. Ata s’mund të na imponojnë ne që të hyjmë në zgjedhje me listat e mbyllura. Në 2021, shqiptarët e ushtruan të drejtën e tyre për të votuar preferencën e tyre. Këta duan që t’ja heqin këtë të drejtë. Mendojmë se kushtetuesja do i shfuqizojë këto ndryshime, është betejë për Kushtetutën e Shqipërisë”, tha Shabani.
Kërkesa në Kushtetuese mbështetet edhe nga lëvizja “Shqipëria Bëhet”. Edhe kjo lëvizje, ashtu si Nisma Thurje mbështet hapjen e listave, duke i konsideruar ndryshimet në Kodin Zgjedhor, jo vetëm një mbyllje listash, por edhe që bien ndesh me vendimin e Gjykatës Kushtetuese që hoqi herësin.
Më herët, të njëjtën padi për shfuqizimin e ndryshimeve për listat e mbyllura u dërgua në Gjykatën Kushtetuese edhe nga partitë e vogla opozitare.
Në seancën e 26 korrikut të 2024, PD dhe PS arritën dakordësinë për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ku listat do të jenë të hapura vetëm me 2/3 e tyre dhe 1/3 e listës së deputetëve do të miratohet nga kryetari i partisë. Pjesë e ndryshimeve ishte edhe heqja e herësit dhe votimi për herë të parë i diasporës shqiptare.
Burimi