OSHEE do të marrë 81.5 milionë euro kredi në BERZH për të shlyer detyrimet ndaj bankave

OSHEE do të marrë 81.5 milionë euro kredi në BERZH për të shlyer detyrimet ndaj bankave

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) pritet të miratojë në fillim të vitit të ardhshëm një kredi prej 81.5 milionë eurosh për Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE).
Kredia do të garantohet nga qeveria shqiptare dhe do të përdoret për të rifinancuar overdraftet që OSHEE ka lidhur me bankat tregtare, duke mundësuar njëkohësisht edhe zgjatjen e afateve të tyre. Këto kredi janë marrë kryesisht për të financuar importet e energjisë elektrike.
Projekti do të mundësojë ristrukturimin e bilancit të OSHEE-së, duke i mundësuar kompanisë financimin indirekt të investimeve që klasifikohen si të gjelbra.
Financimi i BERZH do të kushtëzohet nga plani për një program reformash korporative, i cili do të ketë një ndikim të rëndësishëm në zhvillimin, menaxhimin dhe efiçencën operacionale të OSHEE-së dhe, rrjedhimisht, sektorit të energjisë elektrike në Shqipëri.
Sipas BERZH, pritet që kredia të miratohet më datë 15 janar 2025. Kjo pritet të jetë kredia e dytë që BERZH akordon për OSHEE, pas asaj të miratuar në vitin 2021, për një shumë totale prej 70 milionë eurosh.
Sipas të dhënave të raportuara nga Ministria e Financave, në regjistrin e borxhit publik, në fund të tremujorit të tretë të këtij viti vlera e kredive të garantuara të kompanive të grupit OSHEE ishte rreth 80.4 milionë euro.
Kjo shumë përbëhet gjithsej nga pesë kredi, të marra nga OSHEE dhe FSHU te Raiffeisen Bank, Tirana Bank, Banka OTP Albania dhe Banka Amerikane e Investimeve (ABI Bank). Këto kredi synohen të rifinancohen me kushte më të favorshme, me linjën e kredisë që do të sigurohet nga BERZH.
Kredia në fjalë pritet të sjellë një ndikim të rëndësishëm në ecurinë kredisë totale të dhënë nga sektori bankar për kompanitë shtetërore në vend.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të muajit shtator 2024, vlera totale e portofolit për ndërmarrjet publike ishte rreth 17.2 miliardë lekë, në rënie me 11.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Portofoli i kredisë së ndërmarrjeve shtetërore ka arritur vlerën më të ulët në tre vitet e fundit.
Ky portofol vazhdon të dominohet nga kredia për sektorin energjetik, që përbën më shumë se 87% të portofolit total të huasë së ndërmarrjeve publike. Shlyerja e kredive të OSHEE nëpërmjet linjës së kredisë nga BERZH pritet të sjellë edhe një ulje drastike në vlerën e huasë së sektorit bankar për ndërmarrjet publike, praktikisht duke e përgjysmuar portofolin aktual.
Ky zhvillim pritet të çlirojë më shumë likuiditete të lira të bankave tregtare, që mund të rrisin kërkesën në tregun e bonove dhe obligacioneve të qeverisë shqiptare dhe të shtojnë presionet rënëse mbi yield-et.
/Monitor.al/
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente