
Një pjesë e Unazës së Tiranës do të bllokohet për dy netë me radhë, ja datat dhe orari
Një pjesë e Unazës së Madhe të Tiranë do të bllokohet për dy netë me radhë, pasi do të hidhet shtresa e asfaltobetonit.
Autoriteti Rrugor Shqiptar bën me dije se më 8 Mars, nga ora 20:00 deri në orën 06:00, do të bllokohet krahu i djathtë i aksit rrugor nga ish-Sheshi Shqiponja deri tek ura e Lumit të Tiranës. Ndërsa më 9 Mars do të bllokohet krahu i majtë këtij aksi, po në të njëjtin orar, ku do hidhet shtresa e asfaltobetonit. ARRSH ka njoftuar për drejtuesit e automjeteve dhe se si do të devijohet trafiku në këto dy netë.
“Në kuadër të fazës përfundimtare të punimeve të ndërtimit të rrugës në objektin: “Plotësimi, Rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”, pjesë e Unazës së Madhe të Tiranës, në datat 08-09.03.2025 është planifikuar të realizohet shtresa e asfaltobetonit në aksin kryesor të këtij segmenti, konkretisht nga ish-Sheshi Shqiponja deri tek ura e Lumit të Tiranës.
Për këtë arsye gjatë orëve të natës (ora 20:00 – 06:00) është i nevojshëm bllokimi i këtij aksi duke e orientuar trafikun si më poshtë vijon:
-Në datën 08.03.2025 ora 20:00-06:00 do të kryhen punimet në krahun e djathtë të aksit kryesor dhe për pasojë do të bllokohet lëvizja e automjeteve në Tunelet nr.2 (rryma e trafikut që vjen nga autostrada Tiranë-Durrës me drejtim Unazën Veriore) dhe Tunelin nr.1 (rryma e trafikut që vjen në aksin kryesor nga Teodor Keko me destinacion Unazën Veriore).
– Në datën 09.03.2025 (ora 20:00 – 06:00) do të ketë punime në krahun e majtë dhe trafiku duhet të devijohet për në nënkalimin e Paskuqanit duke i drejtuar automjetet ne rrugët që lidhen me këtë nyje.” – thuhet në njoftimin e ARRSH.
Burimi