“Në Dubai me lekët e krimit”, kallëzohen në SPAK Engjëll Agaçi dhe Ina Rama
Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë Engjëll Agaçit dhe anëtarja e KPA-së Ina Rama janë kallëzuar këtë të hënë në Prokurorinë e Posaçme nga Partia Demokratike.
Përfaqësuesja e PD-së Adriana Kalaja tha për mediat se ka dyshime të forta bazuar në indicie se personazhe të botës së krimit kanë paguar udhëtimet e Ina Ramës drejt vendeve të luksit.
Sipas saj, veprat penale që janë konsumuar në këtë padi janë falsifikimi i dokumentave, shpërdorimi i detyrës, falsifikim në deklarime dhe fshehje të të ardhurave.
“Një padi në SPAK për Engjëll Agaçin dhe për disa zyrtarë të tjerë që do të zbulohen nga hetimet e SPAK, në lidhje me falsifikimin në deklarimin që ka bërë zonja Ina Rama ku dhe ndaj anëtarëve të KPA dhe KPK nuk është zhvilluar një veting që e parashikon Kushtetuta. Ka dyshime të forta në lidhje me fshehjen e të ardhurave, dhe persona të arrestuar në çështjen Metamorfoza kanë paguar udhëtime turistike të zonjës Rama në Dubai, të cilat janë kryer nën monitorimin e Engjëll Agacit”, tha Kalaja.
“Veprat penale që janë konsumuar në këtë padi janë falsifikimi i dokumentave, shpërdorimi i detyrës, falsifikim në deklarime dhe fshehje të të ardhurave. Ne i kemi kërkuar SPAK që minimalisht të mbajë precedentin e KPA dhe kemi kërkuar si një masë të shpejtë pezullimi nga detyra e Ina Ramës dhe Engjëll Agaçit ku të sekuestrohen dhe të gjitha pajisjet elektronike pasi ekziston mundësia të prishë provat”, shtoi ajo.
Burimi