Ndikimi i “depresionit pranveror” në shëndet
Në stinën e Pranverës përveç lulëzimit të pemëve, sipas specialistëve ndeshet edhe një fenomen tjetër siç është lulëzimi i problemeve të shëndetit mendor.
“Duke u rritur orët e dritës ne stimulojmë melatoninën dhe ky stimuli na ndikon dhe bën përplasje me seretoninën që është hormoni i humorit. Të dyja këto hormone konfliktohen me njëra-tjetrën duke na dhënë një ndjenjë trishtimi, apatie, e ndonjëherë nervozizëm. Kush nuk e ka provuar ndjesinë e ankthit, fillon e përjeton”, thotë psikiatra Arjana Reli për Tv Klan.
Bombardimi me informacione të zymta apo ngjarje të kronikës së zezë, ndikojnë jo pak edhe në shëndetin mendor të njeriut.
“Presioni që krijon informacioni, atë konfliktin psikologjik që krijohet nga lajmet e errëta patjetër që na ndikojnë.”
I ashtuquajturi “depresioni pranveror” ndeshet më shumë tek grumpmosha e re dhe kryesisht te femrat.
“Këtë ndryshim që jep stina, të quajtur ndonjëherë dhe depresion pranveror, prek më së shumti moshat aktive. Sepse janë pikërisht këto mosha që presin këtë zgjatjen e ditës për më shumë argëtim apo aktivitetet e tyre. Më të prekura janë femrat. Kështuqë njerëzit e moshës 40-45 vjeç janë ato që i përjetojnë më tepër ndryshimet e pranverës.”
Për të përballuar probleme të tilla, specialistët e shëndetit mendor rekomandojnë konsumimin e ujit, frutave dhe zarzavateve të stinës, aktivitet fizik dhe mbi të gjitha një gjumë të mirë.
Burimi