“Ndërtuesi mbylli pazaret me SPAK për të shpëtuar Veliajn”/ Akuzat nga protesta para bashkisë
Këtë të enjte u zhvillua protesta e radhës para Bashkisë së Tiranës me tubuesit që kërkuan arrestimin e Erion Veliajt dhe largimin e tij nga posti i kryebashkiakut të Tiranës.
Kjo e sotmja ishte e 22-ta protestë që pas arrestimit të drejtorëve të Veliajt lidhur me aferën “5D”. Nga sheshi para Bashkisë, Veliaj është cilësuar “koka e bandës së drejtorëve hajdutë” dhe “pronari faktik i inceneratorit të Tiranës”.
Për nga organizimi, protesta e sotme nisi rreth orës 11:00 dhe zgjati gati 1 orë, u zhvillua si ato paraardhëse.
Nga mikrofoni i protestës, Dorian Teliti, nënkryetari i Këshillit Bashkiak nga radhët e demokratëve tha se ky institucion “është marrë peng nga një grup rilindashisih dhe prej 9 vitesh vazhdojnë ta përkeqësojnë jetesën në Tiranë”. “Fatkeqësisht, sot nuk ka as drejtësi”, theksoi ai.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, u shpreh se bashkia është kthyer “në bankomat të zuzarëve”. Blushi deklaroi se, i vetmi shërbim që ka siguruar Erion Veliaj në këto 3 mandate është afera e inceneratorëve që paguhet çdo ditë për një shërbim që nuk ofrohet.
Problematika me zonat pa shkolla e kopshte në Tiranë u përmend në protestën e organizuar nga opozita, ashtu si dhe rikthimi i projektligjin për importin e mbetjeve, apo ndërtimet pa kriter në kryeqytet.
Akuza u lëshuan edhe ndaj Prokurorisë së Posaçme se po amniston Veliajn.
“Në këtë vend nuk ka drejtësi, edhe përse ka pasur një opinion pozitiv me SPAK por në këtë muaj kemi parë një institucion të kapur prej fyti dhe që kontrollohen nga pushteti. Po jahti 7 milionë euro të Armando Lilos që ishe javën e kaluar, po shtatë kate pa leje këtu në shesh a i ke parë sepse një tendë të Adriana Kalasë ti e pe. Armando thuhet se të ka mbyllur hallet me prokurorët e SPAK”, tha Këlliçi.
Protesta e radhës u lajmërua të enjten e ardhshme, në të njëjtin orar.
Burimi