Mjekët: 90% e virozave që po qarkullojnë janë Covid, simptomat dhe mbivendosjet

Mjekët: 90% e virozave që po qarkullojnë janë Covid, simptomat dhe mbivendosjet

90% e virozave që po qarkullojnë aktualisht në vendin tonë janë infeksion kovidi. Në qendrat shëndetësore të vendit, muajin e fundit janë rritur shumë rastet e konfirmuara, ndërsa mjekët thonë se kjo është vetëm maja e ajsbergut.
“Në qendrën tonë shëndetësore, në qershor janë bërë 22 teste dhe 2 kanë dale me kovid. Ndërsa në korrik janë bërë 165 teste, nga të cilat 47 kanë dalë pozitive me kovid. Numri i testeve është në rritje, por edhe rastet pozitive. Është vetë maja e ajsbergut, sepse kovidi është gjithandej. Mbi 90 për qind e virozave respiratore në këtë periudhë janë kovid,” tregon mjekja Klarida Papaqaku.
Situata e re ishte befasi për mjekët. Numri i lartë i virozave respiratore dhe prania e këtyre shenjave bëri që ata të rikthejnë sërish konfirmimet përmes testeve.
“Nuk e ndajmë dot nëse është kovid apo një virozë e zakonshme respiratore, sepse shenjat janë shumë të përafërta: temperaturë, lodhje, dobësi trupore, sekrecione nazale, kollë. Kur pacienti ka një moshë të caktuar apo mbivendosje të sëmundjeve kronike ndodh që na shfaqen edhe vështirësi në frymëmarrje apo temperaturë që zgjat mbi tri ditë. Atëherë dyshojmë për kovid,” shton mjekja e Qendrës Shëndetësore nr. 7.
Por situata po komplikohet edhe për shkak të dy shenjave të tjera, të cilat nuk i shkojnë për shtat nënvariantit të ri të Omikronit, që qarkullon, dhe kjo sipas mjekëve mund të jetë mbivendosje virozash.
“Kohët e fundit realisht kemi parë që këto rastet me kovid kanë pasur ndonjëherë edhe diarre apo nauzea. Nuk e dimë a është një virus gastrointestinal, që këtyre pacientëve u është mbivendosur me virusin e kovidit apo është varianti i kovidit, që po jep këto simptoma të tjera. OBSH-ja nuk e përfshin nauzean dhe diarrenë në variantin e ri të kovidit që po qarkullon,” shton doktoresha.
E ndërsa shifrat e infeksionit nga kovidi janë në rritje për rivaksinime nuk flitet fare. Mjekët nuk kanë as kërkesë nga pacientët dhe as ofertë nga autoritet e shëndetit publik për këtë gjë, por sipas rekomandimeve të OBSH-së një dozë rikujtese në vit është e domsodshme, sidomos për të sëmurët kronikë dhe punonjësit e shëndetësisë.
/RTSH/
Burimi