Meta: Nga 1 nëntori rritet çmimi i bukës dhe energjisë. Rritja e pensioneve, tallje për pensionistët
Një tallje të qeverisë me pensionistët e ka cilësuar kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta indeksimin me 4.1% të pensioneve, kur çmimi i bukës sipas tij do të rritet me 15 %. Në një postim në rrjetet sociale, Meta thekson se nga 1 nëntori do të rritet edhe çmimi i energjisë.
“Tallja e Qeverisë me pensionistët: Indeksim 4.1% të pensioneve por shtrenjtim me 15% të bukës, produktit bazë ushqimor të tyre! Nga 1 Nëntori pensionistët e të gjitha kategorive dhe jo vetëm, do të paguajnë 15% më shtrenjtë çmimin e bukës për shkak të shtrenjtimit po aq të çmimit të energjisë elektrike për furrat e bukës në orët e pikut të prodhimit. Ndaj dhe indeksimi i pensioneve në masën 4.1% ose 25 lekë/ditë nuk është gjë tjetër veçse poshtërimi më i madh që ai u bën pensionistëve”.
Meta ka shpalosur në 5 prioritetet kryesore të Partisë së Lirisë, ku ndër to është dyfishimi i pensioneve.
“Dyfishimi i pensioneve është një nga 5 Prioritetet kryesore të Partisë së Lirisë. Ne në qeverisje do të bëjmë të mundur: Indeksimin e plotë të masës së pensioneve duke e llogaritur indeksimin mbi bazën e inflacionit të artikujve ushqimorë. Indeksimin e shpeshtë brenda vitit të masës së pensioneve në rastet e krizave apo pandemive për shkak të rritjes së shpejtë të çmimeve. Rritjen e pensioneve me nivelin e rritjes reale ekonomike për ta bërë rritjen ekonomike gjithëpërfshirëse”.
Burimi