Më shumë njerëz vdesin nga ataku gjatë festave të fundvitit!

Më shumë njerëz vdesin nga ataku gjatë festave të fundvitit!

Më shumë njerëz vdesin nga ataku në zemër mes Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, sesa në çdo periudhë tjetër të vitit. Aq sa në SHBA përdoret rëndom shprehja “zemër pushimesh” (Holiday Heart), duke treguar atë që mund ta quajmë edhe “sindroma e zemrës së pushimeve”. Po pse ndodh ajo dhe si mund të shmanget çdo rrezik i mundshëm?
Një përzierje “shpërthyese”
Nga darkat me kolegët e punës, tek aperitivët me miqtë dhe familjarët, nga nata e Krishtlindjeve e deri tek ajo e Viti të Ri e më tutje, ia vlen që të fokusohemi tek sasia më e madhe e alkoolit që konsumohet më shume sesa zakonisht. Konsumimi i pijeve alkoolike, është normalizuar aq shumë, sa të duket e çuditshme pse dikush nuk feston duke pirë një gotë alkool.
Prandaj shpeshherë harrojmë se alkooli është një substancë toksike për trupin. Madje edhe në doza të vogla, dhe veçanërisht për zemrën. Nëse festimet vazhdojnë dhe rritet sasia e gotave që konsumohet, mund të keni efekte të padëshiruara të festimeve, që në vetvete janë shumë të “gëzueshme”.
“Në përgjithësi, dozat e tepërta të alkoolit, nxisin një aktivizim më të madh të qelizave të zemrës”- konfirmon profesor Klaudio Tondo, Drejtor i Departamentit të Aritmologjisë në Qendrën Kardiologjike Monzino, Itali. Kjo sipas tij mund të shkaktojë një rritje të rrahjeve të zemrës dhe të lehtësojë fillimin e aritmive kardiake të rrezikshme, të cilat në gjuhën mjekësore njihen si fibrilacioni atrial.
Po ashtu duhet të mos harrohet se konsumi kronik i alkoolit në doza të mëdha, mund të çojë në zhvillimin e kardiomiopatisë së zgjeruar, e cila shkakton një rritje të vëllimit të dhomave kardiake (atria dhe barkushet) dhe në një reduktim të kontraktimit:2 kushte vendimtare për fillimin e fibrilacionit atrial. Dhe kini kujdes: anomalitë e ritmit të zemrës të shkaktuara nga alkooli, ndodhin shpesh kur kombinohen me konsumimin e një sasie të madhe ushqimi. Ndaj këshillohet një sasi e moderuar edhe në këtë aspekt.
Një rrezik në rritje
Pra duke qenë kaq pranë njëra-tjetrës, festat e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, mund të jenë sfiduese për shëndetin tonë në përgjithësi, dhe jo vetëm për peshën tonë trupore. Në fakt, një studim ka treguar se vetëm një gotë pije alkoolike në ditë, mund të rrisë deri në 16 për qind rrezikun e fibrilacionit atrial.
Nëse në një ditë të caktuar mundësia për të vuajtur nga fibrilacioni atrial është 1 në 1000, me një gotë birrë ose verë, ky probabilitet mund të arrijë 3 në 1000. Prandaj, fibrilacioni atrial është rreziku më i madh në këtë aspekt. Po çfarë është kjo dukuri?
“Është një anomali e rrahjeve të zemrës, një nga çrregullimet më të përhapura. Duke rrahur në mënyrë të parregullt, zemra nuk është në gjendje ta pompojë siç duhet gjakun, gjë që mund të krijojë mpiksje të rrezikshme. Fibrilacioni atrial mund të rrisë rrezikun për të pasur një goditje në tru. Po ashtu, ai është e lidhur me demencën dhe atakun në zemër”- thotë Tondo.
Më në rrezik janë të moshuarit, obezët dhe shtatlartët
Nëse pirja e alkoolit është në përgjithësi e dëmshme për të gjithë, në rastin konkret kujtojmë se ka disa kategori që janë më të rrezikuar nga fibrilacioni atrial. Kështu, në moshën 80-vjeçare, keni afërsisht 10 për qind mundësi për ta pasur këtë çrregullim. Faktorë të tjerë rreziku përfshijnë obezitetin, një histori familjare e fibrilacionit atrial që fillon në moshë të hershme, dhe shtatlartësia (një studim zbuloi se njerëzit më të gjatë se 1.7 metra janë më të rrezikuar).
Po si ta vëreni kur keni probleme?
“Disa nuk do të kenë simptoma të dukshme, ndërsa të tjerët mund të përjetojnë rrahje të shpejta zemre, dhimbje në gjoks ose gulçim, lodhje ekstreme dhe madje edhe gjendje të fikëti. Tek disa persona fibrilacioni atrial ndodh për periudha të shkurtra, por për disa të tjerë gjendja mund të bëhet një gjendje e vazhdueshme”- sqaron eksperti.
Zakonisht mjeket e diagnostikojnë fibrilacionin atrial përmes një EKG-je. Por tani që janë bërë shumë popullore orët inteligjente të pajisura me monitorin e rrahjeve të zemrës, mund të vini re vetë ndryshime në ritmin tuaj të zemrës dhe të shkoni tek një kardiolog.
Informimi paraprak mbi rreziqet mund t’i kufizojë ato, por nëse doni të ngrini gjithsesi dolli “sipas traditës”, të paktën mund të merrni disa masa paraprake: pini sa më shumë ujë, sepse dehidratimi e rrit rrezikun e “sindromës së zemrës së pushimeve”, dhe mos ndaloni së ushtruari fizikisht gjatë periudhës së pushimeve.
Edhe një shëtitje e vogël mund të jetë e dobishme. Së fundi, kini parasysh sasitë e alkoolit që konsiderohen me një “rrezik të ulët” (1 gotë verë, 1 birrë ose 1 gotë pije alkoolike në ditë për gratë dhe të moshuarit, dhe 2 për burrat). Vitet e fundit ka pasur prova në rritje të marrëdhënieve shkak-pasojë midis alkoolit dhe disa llojeve të kancerit dhe 200 problemeve të tjera shëndetësore, për të mos përmendur aksidentet rrugore. I vetmi konsum i sigurt i alkoolit është zero alkool.
Burimi: Corriere della Sera
Burimi