Mblidhet Komisioni për Dezinformomin, dy deputetë “tradhtojnë” bojkotin e opozitës
Rreth dy muaj pasi i miratua ngritja e tij në Kuvend, është mbledhur Komisioni i Posaçëm për Dezinformomini.
Kreu i këtij komisioni do të jetë deputeti socialist Erion Braçe, teksa në mbledhjen e parë është e pranishme edhe kryeparlamentarja Lindita Nikolla.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së Bledi Çuçi shprehu keqardhje për mospraninë e opozitës, ndërsa shtoi se puna e këtij komisioni nuk duhet parë si pjesë e luftës partiake mes mazhorancës dhe opozitës.
“Pa u zgjatur do të doja që të uroja punë të mbarë këtij komisioni, sepse është nga ata komisioni që nuk duhen parë në këtë pikë si pjesë e luftës partiake mes mazhorancës dhe opozitës dhe më vjen keq që kolegët e opozitës, me gjithë ftesën e vazhdueshme nga kryetarja e Kuvendit, ende sot nuk kanë shprehur gatishmërinë për të ardhur në këtë komision”, tha Çuçi.
Edhe pse opozita ka paralajmëruar bojkotin e këtij Komisioni, duket se dy deputetë janë bërë pjesë e këtij komisioni.
Bëhet fjalë për deputeten e PDIU Mesila Doda dhe kreun e Partisë Republikane Fatmir Mediu, të cilët kanë dalë kundër vendimit të opozitës.
Burimi