Mbledhja e PD/ Zhupa thirrje për protesta, Gjekmarkaj: Të veprojmë që nesër

Mbledhja e PD/ Zhupa thirrje për protesta, Gjekmarkaj: Të veprojmë që nesër

Në takimin e sotëm të Kryesisë së Partisë Demokratike janë zhvilluar diskutime për hapat e ardhshëm të opozitës, teksa ditën e sotme Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin për dënimin me burg të deputetit Ervin Salianji. Deputetja Ina Zhupa theksoi nevojën për një protestë të pandalshme dhe të qëndrueshme, duke e cilësuar atë si një domosdoshmëri.
“Nuk protestojmë as për Salianjin, as për Sali Berishën, por për çdo qytetar që sot është më i frikësuar se kurrë,” tha Zhupa. Ajo e quajti misionin e opozitës si historik, duke shprehur nevojën për të luftuar frikën dhe për të qenë në krye të revoltës.
“Protesta e pandalshme dhe e qëndrueshme është një domosdoshmëri. Ne nuk protestojmë as për Salianjin, as për Sali Berishën, por për çdo qytetar që sot është më i frikësuar se kurrë. Frika mban diktaturat në këmbë, dhe sot po mbillet frika te shqiptarët. Ne kemi një mision historik për ta mposhtur frikën e qytetarëve dhe për të qenë në krye të revoltës.
Këto fabrikime të tmerrshme, të ngjashme me ato të Enver Hoxhës, janë thikë mbi kokat e çdo shqiptari. Deputetët duhet të jenë në ballë, në parlament, në rrugë. Dënimi sot, duke krijuar precedentin e parë në vend me burg për kallëzim të rremë, tregon qartësisht arrogancën e pushtetit. Arroganca do përballje, vendosmëri dhe qëndresë të palëkundur. Nuk na intereson karriga po nuk mbrojmë kushtetutën dhe të drejtat themelore të qytetarëve.
Sot kemi marrë mesazhe pafund nga qytetarët. Nuk duhet të llogarisim numrat që do të jenë në protestën e parë ose të dytë, por duhet të llogarisim që të jemi të parët në betejë dhe qytetarët do na bashkohen. Kjo lidhet edhe me vendimin tonë politik për një qeveri teknike”, u shpreh Zhupa.
Nga ana tjetër, Agron Gjekmarkaj e theksoi rëndësinë e një reagimi të menjëhershëm për situatën e Salianjit, duke kërkuar zhvillimin e diçkaje simbolike që nesër.
Ai u shpreh se, nëse Partia Socialiste do të kishte përjetuar një situatë të ngjashme kur ishte në opozitë, do të kishte pasur reagime të menjëhershme nga ndërkombëtarët. “Ne jemi ende shumë të vakët me ndërkombëtarët,” tha Gjekmarkaj.
Opozita tani po përgatitet për një protestë masive, duke shpresuar se qytetarët do të bashkohen për të kërkuar një qeveri teknike dhe për të mbrojtur të drejtat e tyre themelore. Qëndrimi i fortë i Zhupës dhe Gjekmarkajt dëshmon se angazhimi i opozitës për të mbështetur qytetarët është më i fortë se kurrë.
“Të bëjmë diçka simbolike nesër, sepse po t’i ndodhte PS-së kjo kur ishte në opozitë, do të kishte reaguar i gjithë faktori ndërkombëtar.
Ne jemi ende shumë të vakët me ndërkombëtarët. Më shumë se protesta, Ramës i dhemb kur reagojnë gazetat, shtypi, ndërkombëtarët. Prandaj, duhet ta përdorim edhe këtë formë të rëndësishme.
Duhet të bëjmë një përpjekje të madhe me ndërkombëtarët, sepse dënimi politik do të thotë që kjo drejtësi e re nuk funksionon ashtu siç duhet”, u shpreh Gjekmarkaj.
 
gijotina.com/
Burimi