Marvin Çuni kalon vizitën mjekësore, sulmuesi shqiptar do jetë pjesë e Rubin Kazan

Marvin Çuni kalon vizitën mjekësore, sulmuesi shqiptar do jetë pjesë e Rubin Kazan

Problemet duket se u zgjidhën. Marvin Çuni tashmë mund të quhet një futbollist i klubit të Rubin Kazan në Premier Ligën e Rusisë, pasi kaloi vizitën mjekësore.
Mediat ruse raportojnë se sulmuesi shqiptar i ka dhënë dorën e fundit transferimit të tij për te skuadra nga Kazani, duke u larguar nga Italia.
Futbollisti 23-vjeçar, i cili luajti sezonin e kaluar dhe fillimin e këtij edicioni me skuadrën e Frosinone, do ta vazhdojë tashmë karrierën në elitën e futbollit rus, teksa për kartonin e tij Rubin Kazan do të paguajë rreth 2 milionë euro, nga të cilat një pjesë e rëndësishme shkon te “Bavarezët” e Bayern Munich, klub që e formoi si futbollist.
Sa i përket statistikave Çuni shënoi dy gola gjatë aventurës së tij te Frosinone, një vitin e kaluar në Serie A, kur fitoi edhe një penallti, dhe një këtë vit në Serie B.
Dëshira e lojtarit të lindur në Gjermani ishte që të vazhdonte karrierën në një kampionat më të rëndësishëm sesa kategoria e dytë italiane, ndërsa besohet se te Rubin Kazan, Çuni shihet si alternativë për sulmuesin tjetër shqiptar, Mirlind Daku, i cili mund të largohet për te Spartak Moscow ose te Krasnodari.
Ndërkaq, kujtojmë se Çuni ka luajtur një herë edhe për Kombëtaren shqiptare, teksa u aktivizuar në miqësoren e tetorit të shkuar, ndaj Bullgarisë, për vetëm 36 minuta.
gijotina.com/
Burimi