Manjani: Politika bëhet interesante kur largohet kryeministri dhe jo ministrat
Ish-ministri Ylli Manjani ka reaguar në lidhje në ndryshimet në postet kyçe të qeverisë, teksa shkruan në Facebook se me përjashtim të ministrave që emërohen e largohen dhe familjeve të tyre, askujt tjetër nuk i ndryshon jeta nga ndryshimet në qeveri.
Ndërsa më tej ai citon shkrimtarin Dritëro Agolli kur shkruan se politika bëhet më interesante kur ndryshojnë kryeministrat e jo ministrat e të njëjtit kryeministër.
Gjithashtu Manjani thekson në fund se ndryshimet në qeveri nuk sjellin asgjë të re
Postimi i plotë i Manjanit:
Ndryshime që s’ndryshojnë gjë.
******
Me përjashtim të ministrave që emërohen e largohen dhe familjeve të tyre, askujt tjetër nuk i ndryshon jeta nga ndryshimet në qeveri.
Ndoshta jeta disi do na ndryshonte po në ndërroheshin qeveritë, por jo ministrat e të njëjtës qeveri. Ndoshta them, se garanci nuk ka, jo.
Sidoqoftë, politika bëhet më interesante kur ndryshojnë kryeministrat e jo ministrat e të njëjtit kryeministër. Lakër e zier dy herë, do ta quante Dritëro Agolli këtë fenomen.
Për mua periudha 1997-2005 ka qenë shumë më interesante sesa të gjitha periudhat e marra së bashku. Socialistët ishin më interesantë, më kërkues, më debatues. I dhanë tonin më të lartë politikës në vend. Kryeministrat binin, ministrat po e po.
Në çdo kabinet qeveritar që kësaj periudhe kishte prezent të paktën 2 kandidatë për kryeministra. Kandidatë me kontribute politike jo kandidatë parazitë, si këta që rrinë në prapanicën e udhëheqësit.
Institucionet që dilnin nga parlamenti i kësaj periudhe ishte më të balancuara, cilësisht më të mira. PS megjithse në shumicë të fortë numrash lëshoi Presidentin e Republikës (duke vrarë dëshirën e kryetarit të saj), lëshoi përfaqësimin e ballancuar në çdo institucion kushtetues.
Kushtetuta ishte ligj i shenjtë. Gjykata Kushtetuese kishte autoritet absolut. Sistemi politik bazohej ende në garë…
Po kjo praktikë u zhduk.
Sot kontribut quhet të bëhesh MEME. Bëhesh edhe kryetar parlamenti si MEME. Ministër po e po. Biles bëhen edhe filma…
Institucionet e shtetit janë të gjitha pronë e partisë. Partia vendos, Parlamenti miraton, Presidenti del edhe të dielën dhe i vë vulën e Republikës vendimeve të partisë.!!!
Nejse, po ndryshimet në qeveri nuk sjellin asgjë të re. Vetëm MEME të reja si marketing për “prapanicën” e vjetër, që ka bezdi edhe qimet e veta tashmë…
Burimi