“Mandati i Xhaçkës”, Bardhi: Socialistët e kanë injoruar Gjykatën Kushtetuese

“Mandati i Xhaçkës”, Bardhi: Socialistët e kanë injoruar Gjykatën Kushtetuese

Në Gjykatën Kushtetuese po mbahet seanca për mandatin e deputetes së Partisë Socialiste, Olta Xhaçka.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi është shprehur se secili ka të drejtë të komentojë vendimin e kësaj gjykate, por nuk mund të vejë në pikëpyetje për ta zbatuar atë. Ai shton se mazhoranca me qëndrimin e saj i ka të drejtën vetes të komentojë dhe ka injoruar vendimin.
“Secili prej nesh mund të ketë komente, por nuk mund të vejë në pikëpyetje për të zbatuar vendimin e Kushtetueses Në këtë rast është lënë pa zbatim një vendim i GJK, por me qëndrimin që ka mbajtur mazhoranca i ka dhënë të drejtën vetes të komentojë dhe ka injoruar vendimin e Kushtetueses.
Ne po kërkojmë që të gjykojë në themel provat dhe të konstatojë papajtueshmërinë e mandatit.
Sa i takon, avokatit dhe vetë zonjës Xhaçka, ne e kemi dëgjuar edhe të themi se investimi i saj po kryhej në një pronë private.
Por hetimet e SPAK provuan se ajo ishte një pronë publike e grabitur përmes dokumenteve të falsifikuara. Një pronë shtetërore në bregdet, ishte falsifikuar duke i kaluar në bashkëpronësi ish-ministres, deputetes Xhaçka dhe bashkëshortit të saj.
Pak rëndësi ka se çfarë thotë personi i prekur nga kjo gjë, e rëndësishme është që dokumentet janë aty.
Olta Xhaçka jo vetëm ka përfituar të drejta dhe favore në kundërshtim me ligjin dhe kushtetutën, por mbi të gjitha ka përfituar një pasuri publike prej 10500 metër katrorë tokë, pronë publike në bregdet me firmë personale të Edi RAmës.
Në këtë rast, Edi Rama nuk mbron vetëm Olta Xhaçkën, por edhe veten, sepse në shkelje të ligjit dhe kushtetutës ka bërë investitor strategjik, familjen e saj, zonjën Xhaçka dhe bashkëshortin e saj” tha Bardhi.
Kujtojmë që Parlamenti votoi me 11 prill kundër dërgimit të mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka për shqyrtim në Gjykatë Kushtetuese, siç kjo e fundit ka urdhëruar në vendimin e janarit 2023.
Pas këtij vendimi, PD vendosi që të ridepozitojë në Gjykatën Kushtetuese, kërkesën për mandatin e Xhaçkës.
Burimi