Ligji i ri/ Konkurs për kreun e policisë, drejtorët dhe shefat e komisariateve, koha e shoqërimit ulet në 5 orë

Ligji i ri/ Konkurs për kreun e policisë, drejtorët dhe shefat e komisariateve, koha e shoqërimit ulet në 5 orë

Ndryshimet në ligjin për Policinë e Shtetit po diskutohen në seancën e sotme plenare, ku ministri Taulant Balla kërkoi nga opozita që ta miratojë.
Në draftin me ndryshimet në ligjin “Për Policinë e Shtetit”,, thuhet se për kandidaturat e drejtuesve do të verifikohen përmes komisioneve të posaçme. Jo vetëm krerët e institucioneve kryesore të policisë si drejtori i Përgjithshëm, shefi i Gardës apo kreu i AMP, por edhe drejtorët e qarkut dhe shefat e komisariateve do të zgjidhen me konkurrim, një praktikë që bëhet për herë të parë.
Sa i përket kryepolicit me ndryshimet e reja ligjore që janë ende në konsultim ekspertësh, emri i tij do të veçohet në bazë të verifikimeve të një komisioni të veçantë që krijohet enkas me urdhër të ministrit të Brendshëm dhe pas filtrit, emri që plotëson kriteret më të mira i kalon ministrit, i cili më pas ia pas ia kalon Këshillit të Ministrave për emërim.
Me ndryshimet e reja, ministrit të Brendshëm i shtohen kompetencat mbi policinë, pasi do të ketë detyrë të ushtrojë kontroll administrativ, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Një tjetër ndryshim që është parë i arsyeshëm të bëhet është edhe koha e qëndrimit në komisariat gjatë ndalimit të përkohshëm policor apo shoqërimit, e cila do të jetë maksimalisht 5 orë dhe jo 10 orë sa ka qenë në ligjin e vjetër. Kjo bëhet për kufizimin në maksimum të rasteve të abuzimit të mundshëm me të shoqëruarin. Brenda afatit kohor prej 5 orësh, policia do të ketë për detyrë të përfundoj verifikimin dhe nëse nuk arsyetohet arrestimi, duhet liruar.
Në ndryshim nga praktika e mëparshme, gradat e rolit zbatues janë reduktuar vetëm në një gradë funksionale “Inspektor” me qëllim rritjen e fleksibilitetit për menaxhimin e punonjësve të këtij roli sipas nevojave operacionale të Policisë së Shtetit dhe nuk do të jenë më të ndarë në tre nivele “Inspektor”, “Inspektor i Dytë” apo “Inspektor i Parë”. Trajtimi financiar i tyre, megjithatë, do të jetë i diferencuar bazuar në vjetërsinë në punë dhe funksionit përkatës brenda kësaj grade. Ndërkohë, të gjithë ata që duan të rriten në gradë, nga “Nënkomisar”, në mënyrë rendore deri te gradat “Komisar”, “Kryekomisar”, “Drejtues” dhe “Drejtues i parë”, duhet të kenë përkatësisht nga 4 vjet eksperiencë, në mënyrë që të konkurrojnë për gradën pasardhëse, me disa ndryshime nga ligji i vjetër, i cili në rastin e “Kryekomisar” në “Drejtues” kërkonte 5 vjet eksperiencë.
Ligji i ri rikoncepton organizimin, duke fuqizuar departamentet në Drejtori të Përgjithshme, njëlloj si modeli i Departamentit të Kufirit dhe Migracionit, i testuar më herët, konsideruar më efektiv në kuadër të organizimit strukturor.
Një polic që ka kryer 30 vjet shërbim në Policinë e Shtetit do të mund të mbyllë karrierën e tij në moshën 55 vjeçare. Deri në daljen e tij përfundimtare në pension ai do të përfitojë 70% të pagës.
Po ashtu, për çdo vit shërbimi mbi 30 vjet masa e trajtimit rritet me 1% të pagës, por nuk duhet të kalojë 80% të saj. Ndryshimi do të vijë pas miratimit të ligjit të ri të Policisë së Shtetit dhe synon rifreskimin e trupës policore dhe kostot pritet të përballohen nga buxheti i bluve.
Ligji i ri fuqizon edhe rolin e departamenteve në drejtorinë e përgjithshme. Ndryshimet në këtë drejtim janë testuar tashmë prej disa vitesh në Departamentin për Kufirin dhe Migracionin, i cili me sa duket është parë efektive dhe e njëjta gjë do të behët edhe në departamentet e tjera, si te Policia Kriminale dhe te Rendi e Siguria.
Pra, departamentet do organizohen jo vetëm në nivel qendror, por edhe vendor me drejtorët dhe stafin e tyre nëpër qarqe.
Në këtë prizëm parashikohet një lehtësim për sa i përket edhe rritjes në karrierë, e cila do të bëhet brenda për brenda departamenteve. Për shembull, nëse një oficer i ri e nis karrierën në Policinë Kriminale, rritja do të bëhet brenda këtij departamenti, aty ku po specializohet më mirë, duke shmangur kalimin në departamente të tjera, te të cilat ambientimi do të ishte më vështir
Janë parashikuar disa ndryshime edhe sa i përket avancimit të teknologjisë dhe inteligjencës artificiale, e cila do të synohet në vijim të aplikohet përmes projekteve të ndryshme.
Kjo pikë synon investimet në kamera inteligjente, të cilat do të instalohen në vijim në rrugë dhe ambiente publike dhe që do të ul numrin e efektivëve të policisë në terren. Shqipëria ka në plan një projekt-financim nga Emiratet e Bashkuara Arabe në këtë drejtim, dhe këto kamera nuk do të kenë nevojë të monitorohen nga burime njerëzore, por paligjshmëria do të raportohet në kohë reale nga sistemi, nga mjetet e vjedhura, targat, persona të dyshuar e më gjerë. Efektivëve të policisë, me miratimin e ligjit të ri, u ndalohet dy punësimi.
Po ashtu, do të ndalohet punësimi për 1 vit për punonjësit që ndërpresin marrëdhëniet me Policinë e Shtetit në subjekte apo biznese që ata kanë mbikëqyrur ose që mund të kenë qenë pjesë e komisioneve apo bordeve për dhënien e lejeve për ushtrim të aktiviteteve. Për këtë është parashikuar që efektivi të marrë të pagë për 1 vit pas daljes nga policia.
gijotina.com/
Burimi