Kuqezinjtë kthehen në Atdhe, Sylvinho: Mësuam shumë, jam ende pjesë e kombëtares
Kombëtarja shqiptare është kthyer këtë të martë në Atdhe pas eliminimit nga Euro 2024. Për t’i pritur në aeroportin “Nënë Tereza” kishin shkuar tifozë dhe kamerat e televizioneve të ndryshme.
Trajneri Sylvinho foli për mediat pasi doli nga aeroporti. Ai u shpreh se kombëtarja u përball me lojtarë të nivelit më të lartë. Sipas trajnerit brazilian, Shqipëria ka mësuar shumë nga kjo eksperiencë.
“Duhet të kuptoni që është hera e dytë që jeni në një turne të tillë. Nuk ka qenë fare e lehtë. Jemi përballur me lojtarë të nivelit më të lartë. Kemi mësuar shumë. Të hysh kundër një Italie të fortë, Kroacisë së fortë, Spanjës shumë të fortë, kjo nuk ka çmim, është flori. Për futbollistët, për ne. Ishim në fushë me shumë lojtarë të rinj, ata janë impenjuar shumë. Kanë dhënë gjithë eksperiencën e tyre”, tha Sylvinho.
Tashmë sytë shkojnë drejt kualifikueseve për Botërorin ku Shqipëria nuk ka marrë asnjëherë pjesë.
“Kemi një rrugë të gjatë para, duhet të jemi të sinqertë. Kemi shumë lojtarë të rinj, rruga është e mirë edhe rruga e kombëtares shqiptare është e mirë. Ata e kanë prezantuar shumë mirë vendin, shumë lojtarë të mirë, kanë marrë eksperiencë, kështu që jemi ok”, tha ai.
Por vetë Sylvinho a do të qëndrojë në drejtimin e kombëtares? Trajneri thotë se është ende pjesë e skuadrës dhe se e ka për nder ta përfaqësojë vendin.
“Jam pjesë dhe kam 1 vit e gjysmë, po bëjmë një punë të mirë. Ne punojmë bashkë, asnjëherë vetëm. Ky vend është i jashtëzakonshëm, për mua është bukur të përfaqësoj këtë vend. I falenderoj të gjithë futbollistët”, tha Sylvinho.
Përveç trajnerit ka folur për mediat edhe ylli 21-vjeçar i Kombëtares dhe Beshiktashit, Ernest Muçi, i cili nuk e ka fshehur zhgënjimin për minutat e pakta në fushë. “Doja më shumë minuta. Ishte pak zhgënjyese që nuk morën një pikë me Spanjën. Çunat besuan deri në fund të gjithë dhe besoj se kjo eksperiencë do na vlejë. Jam shumë i lumtur që më kanë mbështetur edhe tifozët”, tha ai.
Shqipëria u eliminua nga Euro 2024 pas humbjes nga Spanja me rezultatin minimal 0-1. Kuqezinjtë ishin në një grup të vështirë bashkë me Italinë dhe Kroacinë.
Burimi