Konkurrenca heton bankat për abuzim me pozitën siguruese në shitjen e sigurimit të jetës për kredinë

Konkurrenca heton bankat për abuzim me pozitën siguruese në shitjen e sigurimit të jetës për kredinë

Autoriteti i Konkurrencës vendosi këtë muaj të hapë një hetim paraprak ndaj bankave tregtare, për shkak të dyshimeve për abuzim me pozitën dominuese për produktin “sigurimi i jetës për kredi”.
Vendimi i Autoritetit të Konkurrencës erdhi pas marrjes së një ankese për këtë qëllim.
Më tej, Komisioni i Konkurrencës pasi vlerësoi ekzistencën e të dhënave të mjaftueshme të cilat kërkojnë hetim të mëtejshëm të mënyrës sesi bankat e nivelit të dytë procedojnë me ndarjen e këtij produkti, shqyrtoi propozimin e sekretariatit të konkurrencës për hapjen e hetimit paraprak në këtë treg.
Pas vlerësimit të raportit të paraqitur nga sekretariati i konkurrencës u vlerësua se përqindja e
ndarjes së tregut të sigurimit të jetës për kredi, nuk reflekton as afërsisht pjesën e tregut në total
që secila nga shoqëritë e sigurimit të jetës zotëron. Sipas Autoritetit, kjo mund të jetë pasojë e sjelljeve përjashtuese me karakter antikonkurrues duke bërë që klientët (kredimarrësit) të mos jenë të lirë të zgjedhin vetë shoqërinë nga e cila duan të marrin sigurimin e jetës për kredinë.
Sipas Komisionit të Konkurrencës, sjellja e bankave në tregun e sigurimit të jetës për kredi mund të sjellë kufizim të konkurrencës në kuptim të nenit 9 të ligjit nr. 9121, datë 27.03.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”. Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës, me vendimin nr. 1130, datë 07.11.2024, vendosi hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e sigurimit të jetës për kredi.
Hetimi paraprak përfshin periudhën kohore nga data 7 Nëntor 2021 deri në 7 Nëntor 2024.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), për 10- mujorin 2024, kompanitë e sigurimit të jetës lidhën pothuajse 97 mijë kontrata të sigurimit të jetës së debitorit.
Numri i kontratave të sigurimit për këtë produkt është rritur me 16.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Për dhjetë muajt e vitit 2024, primet e shkruara bruto nga kontratat e sigurimit të jetës së debitorit arritën në 1.32 miliardë lekë ose më shumë se 13 milionë euro. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, primet e shkruara bruto janë rritur me 20.9%.
Sigurimi i jetës së debitorit është në fakt kolona kryesore ku mbahet tregu i sigurimit të jetës në Shqipëri. Aktualisht, ai siguron rreth 78% të numrit të përgjithshëm të kontratave dhe afërsisht 80% të volumit total të primeve të shkruara bruto.
Produkti i jetës së debitorit është i lidhur pothuajse tërësisht me ecurinë e kredisë bankare.
Shumica e bankat kërkojnë sigurim jete për kontratat e kredisë bankare afatgjata dhe në shuma të mëdha. Zakonisht, këto kontrata sigurimi kërkohen në kreditë me qëllim blerjen e pasurive të paluajtshme. Megjithatë, ka disa banka apo institucione financiare që mund të kërkojnë sigurim jete edhe për kreditë konsumatore. Sigurimi i jetës rinovohet çdo vit, për të gjithë kohëzgjatjen e kredisë.
/Monitor.al/
Burimi