Komisioni hetimor TIMS/ Salianji: Kanë dalë të dhëna të llahtarshme, duhet të dëshmojë edhe Rama
Komisioni hetimor parlamentar për sistemin “TIMS” në Policinë e Shtetit, është mbledhur këtë të hënë, ku ka dëshmuar ish-drejtori i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar, Dorian Tola.
Tola tregoi edhe mbi procedurat si zyrtarët mund të marrin certifikatën për informacion të klasifikuar.
“Ligji është i qartë, një nga kushtet për tu njohur me informacion të klasifikuar është pajisja me certifikatë sigurie të përshtatshme, por kjo nuk do të thotë që në momentin kur emërohesh të kesh certifikatën. Një nga kushtet e tjera është edhe nevoja për njohje. Kjo fillon nga momenti kur emërohesh në detyre. Përveç disa agjencive të inteligjencës që e kanë vendosur në ligjin e tyre që është kusht paraprak për emërimin në detyre pajisja me certifikatë sigurie të gjithë zyrtarët e tjerë, përfshirë edhe ministra pajisjen me certifikatë sigurie pasi emërohen në detyrë.”, tha Tola.
Gogu: Kur ju keni qenë në detyrën e drejtorit të DSIKS-së cfarë ndërveprimi keni pasur me sistemin TIMS
Tola: Statusi i sistemit TIMS është një sistem që nuk është i akredituar për trajtuar informacion të klasifikuar. Në këto kushte nuk ka qenë objekt i punës tonë.
Salianji: Kam një pyetje në lidhje me subjektin Ervin Muça që ka ardhur kërkesa për pajisje me certifikatë sigurie. Pse DSIK ka shkelur ligjin duke kthyer përgjigje 8 muaj pas kërkesës, ndërkohë që nuk është ky afati dhe cila ishte arsye e refuzimit?
Tola: Legjislacioni në fuqi përcakton që afati për kryerjen e procedurës së verifikimit është 120 ditë, por në pikën vijuese thuhet që ky afat mund të zgjatet kur autoritetit i duhet më shumë kohë për të konkluduar në një vendimmarrje. Nuk është shkelje ligjore. Ne kemi shumë raste të tilla, ku për arsye të nevojës së punës për të marrë një vendimmarrje në interes të qytetarit është dashur të shkojmë përtej afatit 120 ditë. Sa i takon pyetjes së dytë, deri në momentin e lirimit tim nga drejtori ne nuk kemi konkluduar për një vendimmarrje për zotin në fjalë. Nuk e di nëse është marrë një vendim për refuzim apo jo.
Salianji: A keni pasur presion për këtë rast?
Tola: Nuk kam pasur asnjëherë presion për çdo vendimmarrje.
Salinjai: Ligjërisht mund të ketë akses në informacion të klasifikuar cilido zyrtar i shtetit që nuk është i pajisur me këtë certifikatë?
Tola: Ligji është i qartë, një nga kushtet për tu njohur me informacion të klasifikuar është pajisja me certifikatë sigurie të përshtatshme, por kjo nuk do të thotë që në momentin kur emërohesh të kesh certifikatën. Një nga kushtet e tjera është edhe nevoja për njohje. Kjo fillon nga momenti kur emërohesh në detyre. Përveç disa agjencive të inteligjencës që e kanë vendosur në ligjin e tyre që është kusht paraprak për emërimin në detyre pajisja me certifikatë sigurie të gjithë zyrtarët e tjerë, përfshirë edhe ministra pajisjen me certifikatë sigurie pasi emërohen në detyrë.
Ndërkohë, pas dëshmisë së Tolës, deputeti i PD-së, Asllan Dogjani kërkoi zgjatjen e afateve të hetimit, duke thënë se nuk i kanë shkuar deri në fund dhe se sipas tij duhet të vijë të dëshmojë edhe Kryeministri Rama.
Dogjani: Ta zgjasim afatin e hetimit dhe të na jepet mundësia për të thirrur Ramën, të vijë të na tregojë për deklaratat publike që ka bërë lidhur me ndërhyrjen në TIMS, ish ministrin e brendshëm, por ka edhe shumë dëshmitarë të tjerë që nga hetimi na ka rezultuar se ka dijeni për rrethanat e ngjarjes. Ne kemi kërkuar të hetojmë jo vetëm 2 gushtin, por edhe raste të tjera kur janë bërë publike të dhënat e qytetarëve shqiptarë. Nuk mund të ndalohemi dhe ta mbyllim këtu hetimin në një kohë që problemet që kanë dalë janë shumë të mëdha dhe fakti që në vendin tonë asnjë nuk është i sigurt.
Salianji: Kanë dalë të dhëna të llahtarshme që duhen të hetohen dhe persona që s’duhet të shmangen nga hetimi që ju ka dalë emri gjatë dëshmive. Dëshmitë e zyrtarëve të lartë kanë qenë kontradiktore, për këtë arsye duhej të kishim thirrjen e dëshmitarëve të tjerë.
Në mbledhjen e radhës pritet të diskutohen kërkesat e Partisë Demokratike dhe nëse socialistët do e rrëzojnë zgjatjen e hetimit, dy partitë duhet të kenë gati raportet mbi hetimin.
Burimi