Këlliçi: SPAK vijon amnistinë për Grupin Kriminal 5D

Këlliçi: SPAK vijon amnistinë për Grupin Kriminal 5D

Arrestimin e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, Partia Demokratike e quan një show të SPAK për të hequr vëmendjen nga Erion Veliaj dhe afera 5D. Me anë të një reagimi të bërë nga ish-deputetit, Belind Këlliçi, thuhet se Beqaj do duhej të ishte arrestuar prej kohësh për vjedhjen e qindra milionë eurove dhe shkatërrimin e sistemit shëndetësor në Shqipëri.
“Kolegët e Erionit në SPAK e kanë të kotë edhe show-n e sotëm me Ilir Beqen, i cili në vend që të arrestohej për abuzimin, vjedhjen e qindra milionë eurove dhe shkatërrimin e sistemit shëndetësor në Shqipëri, u arrestua pikërisht sot për disa fatura restorantesh dhe vetëm për të hequr vëmendjen nga vendimi i djeshëm për dosjen 5D dhe kreun e këtij Grupi të Strukturuar Kriminal Erion Veliaj”, tha ai.
Ato hedhin akuza se SPAK po amniston Veliajn, por shtojnë se në ndryshim nga kjo Strukturë e Posaçme, PD nuk do e bëjë një gjë të tillë. Prandaj bëjnë sërish thirrje për protestë në 11 korrik.
“Kolegët e Erionit e kanë të kotë, pasi Partia Demokratike dhe unë personalisht, jemi të vendosur të mos amnistojmë kurrë hajdutin Erion Veliaj dhe shtabin e tij elektoral të 14 Majit 2023. Nuk ka drejtësi të pjesshme, drejtësi me regji, por vetëm drejtësi që i sheh të gjithë të barabartë përpara ligjit. Thirrja ime në emër edhe të qytetarëve që besojnë se shteti është aty për të mbrojtur qytetarin dhe jo hajdutin me pushtet është: Bashkohuni nesër me protestën e qytetarëve tek bashkia Tiranë, në orën 11:00, siç bëjmë tashmë prej 15 javësh. Ne kemi vetëm një synim: Drejtësi për qytetarët, shpëtim për Tiranën dhe hajdutët para ligjit”, thotë Këlliçi.
Sipas tyre, kjo drejtësi është me regji e drejtuar nga kryeministri Edi Rama.
“Ditën e djeshme, u informuam nga mediat se Gjykata e Apelit Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, në një vendim shumë të qartë të sajin, e ka konsideruar kompaninë 5D Konstruksion dhe drejtorët e Erion Veliajt, si një Grup të Strukturuar Kriminal. Këta drejtorë, vetëm me kompaninë 5D, kanë vjedhur të paktën 30 milionë euro tendera publikë, përmes 45 proçedurave tenderuese, në harkun kohor të 7 viteve.
Ky është një fakt që ne e kemi bërë publik dhe kallëzuar në SPAK që në muajin prill të vitit 2023, vijojmë e përsërisim prej 10 muajsh nga kjo foltore si dhe prej 15 javësh kjo është kryefjala e protestave para Bashkisë Tiranë. Fakti që Gjykata i kërkon thellimin e hetimeve prokurorëve të SPAK, dëshmon fatkeqësisht atë që Partia Demokratike ka thënë prej kohësh: Kjo është drejtësi me regji!
Ky vendim është një kthesë vendimtare për fatet e hetimit dhe për zbardhjen e së vërtetës të hajdutëve në bashkinë Tiranë. Nuk ka shqiptar që e beson se Erion Veliaj nuk dinte gjë dhe se drejtorët hajdutëronin pa dijeninë e tij. Gjykata në vendimin e saj është shprehur se përpos trajtimit të dosjes 5D si një Grup i Strukturuar Kriminal, Prokuroria e Posaçme (SPAK) duhe të hetojë edhe deklarimet e shtetases Jona Bejko, e cila e cilësonte ‘lali erin’ si pronarin faktik të hotelit 50 milionë euro në Durrës. Pra thënë shkurt e qartë, ish zv. Kryeministri Arben Ahmetaj e cilëson Erion Veliajn si pronarin faktik të inceneratorit Tiranë, punonjësja e 5D Jona Bejko e cilëson Erion Veliajn si pronarin faktik të hotelit 50 milionë euro në Durrës, kurse Altin Dumani dhe SPAK, ende refuzojnë të bëjnë detyrën, por mbi të gjitha refuzojnë të zbatojnë edhe vendimet e Gjykatës Speciale Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit”, përfundon Këlliçi.
Burimi