Kaso: Urgjenca e dekretimit të zgjedhjeve në Himarë, në shkelje të ligjit
Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Ivi Kaso, ka reaguar për shkarkimin e Fredi Belerit si kryebashkiak të Himarës dhe shpalljen e dtës së zgjedjeve në këtë bashki.
Në një deklaratë për mediat, Kaso ngriti akuzat se vendimet e KQZ-së për mandatin e Belerit dhe të presidentit për datën e zgjedhjeve janë të diktuara nga kryeministri Edi Rama.
Sipas tij, kjo urgjencë dëshmon se Beleri nuk është një i dënuar i shtetit shqiptar, por një i burgosur politik i pushtetit të Edi Ramës.
“Në tri orë të zeza për demokracinë, shtetin ligjor, të drejtat individuale dhe politike në Shqipëri, u shpalos i gjithë banaliteti i regjimit të Edi Ramës dhe patericave të tij. Kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri u “ekzektua” dje edhe politikisht, pasi u mor peng juridikisht para 14 muajsh. Në një seancë urgjente Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve vendosi shkarkimin e Fredi Belerit si kryebashkiak i Himarës.
Sapo KQZ mori vendimin e shkarkimit, Edi Rama i dërgoi Presidentit kërkesën e parapërgatitur dhe e urdhëroi të shpallte datën e zgjedhjeve për Bashkinë Himarë.Institucionet e pushtetit nuk reagojnë me kaq shpejtësi as në raste emergjencash kombëtare, siç e ka dëshmuar tërmeti apo Covid-19. Kjo urgjencë dëshmon edhe njeherë se Fredi Beleri nuk është një i dënuar i shtetit shqiptar, por një i marrë peng, një i burgosur politik i pushtetit të Edi Ramës. Për 14 muaj Edi Rama e mbajti në burg Fredi Belerin dhe nuk e lejoi të betohej dhe të merrte mandatin. Kur Beleri kërkonte leje që të betohej dhe të merrte mandatin, nuk u lejua sepse, sipas marionetave të Ramës, nuk e lejonte ligji”, u shpreh ai.
Sekretari për Çështjet Ligjore në PD theksoi se KQZ dhe Begaj shkelën ligjin.
“Komisioneri i Zgjedhjeve është në shkelje flagrante të ligjit nr. 138/2015 dhe Vendimit të Kuvendit nr. 17/2016 ku përcaktohet se: verifikimi i kushteve të zgjedhshmërisë nga KQZ bëhet vetëm mbi bazën e të dhënave të vetdeklarimit të kandidatit në momentin e paraqitjes së kandidaturës.
Komisioneri i ka verifikuar të dhënat e formularit të dekriminalizimit të Fredi Belerit dhe ka marrë vendimin nr. 611 datë 25.05.2023 për vlefshmërinë e mandatit të fituar në zgjedhjet e 14 majit. Rrethana dhe fakte të ndodhura pas plotësimit të formularit të vetëdeklarimit nuk janë kompetencë e KQZ, por e organeve të tjera kushtetuese. Fredi Beleri duhej të betohej dhe të merrte mandatin, dhe më pas mund të shkarkohej nga Edi Rama, siç parashikon edhe Kushtetuta, neni 115 i saj, apo neni 62 i ligjit nr. 139/2015.
Vendimi i Komisionerit, përveçse i paprecedent dhe pa asnjë bazë ligjore, nuk është i ekzekutueshëm. Neni 133 i ligjit nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative” parashikon që efektet e aktit administrativ pezullohen deri në shqyrtimin e ankimit. Komisioneri nuk referon në asnjë ligj i cili e bën të ekzekutueshëm menjëherë vendimin e tij administrativ.
Thënë shkurt, kryetarit të zgjedhur të Himarës nuk i është dhënë as e drejta e apelimit të vendimit.
Antikushtetues është edhe Dekreti i Presidentit. Sipas nenit 10/3 të Kodit Zgjedhor Presidenti shpall zgjedhjet e parakohshme pasi ka kaluar afati i ankimit të subjektit të shkarkuar. Presidenti ka zbatuar një akt administrativ që nuk ka filluar efektet pasi nuk ka mbaruar afati i ankimit të subjektit të shkarkuar, madje pa filluar ende afati i ankimi”, nënvizoi ai.
Kaso dënoi ashpër vendimin e KQZ-së dhe dekretin e Presidentit.
Burimi