Interpelanca për vrasjen e 14-vjeçarit, Zhupa kërkon dorëheqjen e Manastirliut: E kuptoi që është ministre vetëm kur iu rrezikua karrigia
Deputetja demokrate Ina Zhupa, kritikoi në interpelancën e sotme në Kuvend, ministren e Arsimit, Ogerta Manastirliu dhe kërkoi dorëheqjen e saj.
Sipas Zhupës, Manastirliu nuk ka treguar ndonjëherë përkushtim ndaj problematikave të arsimit deri në momentin kur pozicioni i saj si ministre u vu në rrezik. “Ogerta Manastirliu shpëtoi që ishte ministre arsimi. Deri në ato momente nuk e kishte kuptuar akoma që ishte ministre, sepse nuk e kishim parë në asnjë shkollë, as të diskutonte ndonjë problematikë,” deklaroi Zhupa gjatë interpelancës që vjen pas vrasjen së 14-vjeçarit pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë.
Deputetja demokrate akuzoi ministren për mungesë përgjegjësie dhe për përpjekje për të gjetur fajtorë të tjerë pas tragjedisë me vrasjen e nxënësit 14-vjeçar te shkolla Fan Noli.
“Fajin e ka opozita, TikTok-u, shoqëria, çdo njeri e ka fajin, përveç Ogerta Manastirliut,” shtoi ajo.
Zhupa gjithashtu vuri në dukje se në rast të ndonjë suksesi, Manastirliu do të ishte e para që do të pretendonte meritat, ndërsa për situatat tragjike në shoqëri nuk mban asnjë përgjegjësi. “Nëse njëri nga ata dy djemtë, njëri i plagosur dhe njëri që nuk jeton më, do të fitonin një medalje, e para që do merrte meritat do ishte Ogerta,” theksoi ajo.
Në përgjigje, Manastirliu sulmoi personalisht deputeten demokrate Ina Zhupa, ndërsa përmendi disa nga masat e marra nga ministria që ajo drejton, sipas saj, për përmirësimin e sigurisë së nxënësve dhe arsimit.
Burimi