Inflacioni në rënie, por ushqimet vijojnë të shtrenjtohen në Shqipëri

Inflacioni në rënie, por ushqimet vijojnë të shtrenjtohen në Shqipëri

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, inflacioni për muajin shkurt shënoi një rënie në 1.9%, krahasuar me 2.6% një vit më parë. Megjithatë, ulja e përgjithshme nuk është reflektuar te çmimet e ushqimeve, të cilat vijojnë të rriten, duke arritur në 2.8% nga 2.6% që ishin në janar. Ushqimet dhe produktet bazë mbeten faktorët kryesorë të presionit inflacionist, duke ndikuar drejtpërdrejt fuqinë blerëse të qytetarëve.
Përveç ushqimeve, rritje të ndjeshme kanë pësuar edhe çmimet e pijeve alkoolike dhe duhanit, të cilat janë ngjitur në 4.5% nga 3.9%. Po ashtu, sektori i argëtimit dhe kulturës ka shënuar një rritje të konsiderueshme, duke arritur në 6.5% nga 5.7%.
Nga ana tjetër, transporti ka shënuar një ulje të inflacionit me -2.2%, kryesisht si pasojë e rënies së çmimeve të karburanteve, ndonëse nga muaji janar është shënuar një rritje e lehtë prej 0.3 pikësh.
Kostot e qirasë, ujit dhe energjisë elektrike kanë pësuar gjithashtu rënie, duke zbritur në 0.4% nga 0.9%, një nivel dukshëm më i ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur qëndronin në 2.4%. Këto shpenzime zënë një pjesë të konsiderueshme të buxhetit të familjeve shqiptare.
Pavarësisht inflacionit të ulët, ekspertët parashikojnë një rritje të moderuar në muajt e ardhshëm, për shkak të normave të ulëta të interesit dhe rikuperimit të lehtë të euros kundrejt lekut, duke e orientuar inflacionin drejt objektivit prej 3% të Bankës së Shqipërisë.
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente