Gati për SPAK? Veliaj largon nga detyra Ermal Kapllanin e Policisë Bashkiake

Gati për SPAK? Veliaj largon nga detyra Ermal Kapllanin e Policisë Bashkiake

Një tjetër drejtor i Erion Veliajt bie. Fjala këtë herë është për kreun e Policisë së Bashkisë së Tiranës, Ermal Kapllani. Gijotina mëson se Kapllani nuk është më në krye të këtij posti. Burime pranë bashkisë së Tiranës thanë se ai është shkarkuar nga detyra nga shefi i tij Erion Veliaj, ndërsa arsyet mbeten ende të panjohura.
Largime të tilla janë parë rëndom gjatë qeverisjes së stërzgjatur socialiste para se drejtuesit të përfundojnë para togave të zeza. Dhe mundësia që fati i Ermal Kapllanit të jetë i njëjtë, mbështetet në indicie të besueshme.
Emri i rij u përfol pas publikimit të përgjimeve të Antimafias Italiane për “Ndrangeta”-n, që ngrinin dyshime se drejtori i Veliajt është korruptuar nga organizata mafioze famëkeqe. 
Kreu i policisë bashkiake ka qenë shpesh edhe në qendër të akuzave të opozitës. Sali Berisha, kreu i Partisë Demokratike e ka denoncuar se ka bashkë me Oltion Bistrin, një ish-zyrtar i Policisë tashmë pas hekurave, ka arritur të zhvasë 500 mijë euro në formë ryshfeti duke favorizuar ndërtimet pa leje apo biznese të ndryshme. Ai është akuzuar gjithashtu si i përfshirë në vjedhje votash në zgjedhje në favor të Partisë Socialiste. Përfshirja në aferën e inceneratorëve ka qenë një tjetër akuzë.
Akuza ndoshta më e rëndë ishte ajo se Ermal Kapllani përdori dhunën e pashembullt ndaj shitësve ambulantë në Tiranë për qëllime të ngushta biznesi. Në një deklaratë publike më 18 Prill, Belind Këlliçi do të njoftonte se një kallëzim ndaj kryepolicit do të përcillej në Prokurorinë e Posaçme.
Më herët, Ermal Kapllani ka qenë në listën e 100 zyrtarëve më të korruptuar, që u publikua nga kryeministri Edi Rama. Rama në 2017 u shpreh se kishte hapur një sondazh online dhe se ishin vetë qytetarët që kishin raportuar për zyrtarët e korruptuar, ku në listë figuronte dhe emri i Kapllanit, i cili u rendit i 50-ti, si zyrtari më i korruptuar në administratën shqiptare. Pavarësisht kësaj, Veliaj i besoi postin e kreut të Policisë Bashkiake – një institucion jo fort i dashur për banorët e kryeqytetit, të cilët përballen në përditshmëri me ushtrinë e efektivëve që janë të pakursyer me gjobat për qytetarët, shumë prej të cilave, të vendosura në mënyrë abuzive.
Akuzat për përfshirje në afera ndaj Ermal Kapllanit janë të shumta, megjithatë mbetet për tu parë nëse largimi i tij nga detyra do të jetë preludi i një përballje me drejtësinë.
Burimi