Fredi Beleri lë qelinë e burgut në Fier, betohet nesër si eurodeputet në Strasburg

Fredi Beleri lë qelinë e burgut në Fier, betohet nesër si eurodeputet në Strasburg

Ish-kryebashkiaku i Himarës, njëkohësisht eurodeputet, Fredi Beleri ka lënë mëngjesin e sotëm ambientet e burgut të Fierit, pasi do të kryejë betimin në Strasburg.
Siç shihet nga fotot, Beleri ka dalë nga porta kryesore e burgut të Fierit, atje ku po vuan 2 vite burg nën akuzën e blerjes së votave në kuadër të zgjedhjeve të 14 majit të vitit të kaluar. Ai është pritur në hyrje të ambienteve të burgut nga familjarë dhe makina e ambasadës greke.

Për median greke ai ka pohuar se ishte shumë i lumtur, ndërsa i shprehu falënderime atyre për mbështetjen e dhënë në kaq muaj, duke raportuar lajme për të. “Jam i lumtur e ju falënderoj për mbështetjen që me keni dhënë për kaq muaj, të tjerat do t’i them në Athinë. Për median shqiptare, do të flas në aeroport.”, tha Beleri.

Fredi Beleri u zgjodh eurodeputet i kandiduar nga Demokracia e Re në zgjedhjet europiane të 9 qershorit. Pas dënimit nga Apeli me 2 vite burg për korrupsion zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i hoqi Belerit mandatin e të zgjedhurit si kryetar bashkie në Himarë dhe më pas presidenti i Republikës shpalli zgjedhjet e pjessmeshme për kreun e kesaj bashkie më 4 gusht të këtij viti.
Drejtori i Burgjeve ditën e djeshme (14 korrik) miratoi kërkesën 5-ditore për Frdi Belerin, në mënyrë që ai të kryejë betimin si deputet i Parlamentit Evropian.
Sipas njoftimi, leja e Belerit do të nisë të henën (15 korrik), kur ai do të udhëtojë drejt Francës dhe do t’i përfundojë më 20 korrik, kur do të duhet të vijojë dënimin në burgun e Fierit.
Në javën e parë të qershorit, Beleri u zgjodh deputet i Parlamentit Europian me rreth 237 mijë vota, duke u renditur i katërti në listën me 7 fitues që garuan nën siglën e partisë greke në pushtet, “Demokracia e Re”.

 
Burimi