Fredi Beleri dje la qelinë, sot betohet si eurodeputet në Strasburg
Fredi Beleri betohet sot si eurodeputet i Parlamentit Europian. Beleri, doli dje nga burgu i Fierit, ku po vuan 2 vite dënim nën akuzën e blerjes së votave në zgjedhjet e 14 majit të vitit të kaluar. Pasi u prit nga familjarët në dalje të burgut, Beleri iu drejtua aeroportit të Rinasit, me një makinë të ambasadës greke. Më pas Beleri udhëtoi drejt Athinës, ku u takua dhe me kryeministrin grek, Mitsotakis dhe më pas u nis drejt Strasburgut.
Kujtojmë se Drejtori i Burgjeve miratoi kërkesën 5-ditore për Belerin, në mënyrë që ai të kryejë betimin si deputet i PE. Sipas njoftimi, leja e Belerit nisi dje dhe do t’i përfundojë më 20 korrik, kur do të duhet të vijojë dënimin në burgun e Fierit.
Drejtoria e Burgjeve, ka kërkuar nga Beleri informacion të plotë, duke përfshirë garancinë e udhëtimit, dorëzimin e biletës vajtje-ardhje, akomodimin dhe rregullimin e hotelit. Nëse do të qëndrojë më shumë se sa e lejon leja, për shkak të zhvillimeve atje, do të duhet të informojë zyrtarisht të gjitha institucionet përkatëse, përfshirë edhe autoritetet lokale. Në javën e parë të qershorit, Beleri u zgjodh deputet i Parlamentit Europian me rreth 237 mijë vota, duke u renditur i katërti në listën me 7 fitues që garuan nën siglën e partisë në pushtet në Greqi, “Demokracia e Re”.
Burimi