
Foto – Momenti kur Veliaj futet në furgonin e Policisë
Pas më shumë se 7 orësh, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj është rikthyer në qelinë e tij në ambientet e paraburgimit të Durrësit. Teksa ka dalë nga GJKKO, Veliaj është kapur nga mediat me pranga në duar dhe i rrethuar nga punonjës të Policisë së Shtetit. Ndërkohë, është shtyrë për nesër vendimi i Apelit të Gjykatës së Posaçme për kërkesën e kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili kërkoi zbutjen e masës së sigurisë “arrest me burg”.
Marrja e vendimit është shtyrë për nesër në orën 12:30. Seanca u drejtua nga gjyqtari Engert Pëllumbi. Kërkesë për ankimimin e masës së sigurisë paraqitën edhe katër bizmenesët, Meriman Palushi, Shkëlqim Fusha, Gentian Sula dhe Elman Abdule.
Avokatët e Veliajt ankimuan në Apelin e Posaçëm vendimin e shkallës së parë, që ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për Veliajn. Mbrojtja argumentoi në seancë se pse klienti i tyre duhet të lirohet nga qelia, duke pretenduar se nuk ekzistojnë kushtet që ai të qëndrojë në burg. Po sipas tyre, nuk ka rrezik që kryebashkiaku të prishë provat, të intimidojë dëshmitarët, apo të arratiset. Avokatët propozuan edhe lirimin me garanci pasurore.
SPAK, në anën tjetër, mbajti një qëndrim të kundërt duke kërkuar vijimin e masës së sigurisë “arrest me burg”. Prokuroria, e cila u përfaqësua nga Ols Dado dhe Altin Dumani, paraqitën prova të reja që sipas tyre provojnë inkrimimin e kryebashkiakut dhe konsumimin nga ana e Veliajt të veprave penale për korrupsion dhe pastrim parash.
Pas provave të reja të paraqitura nga SPAK, avokatët e Veliajt kërkuan kohë që të njihen me to. Në këto kushte, gjykata mori vendim për shtyrjen e seancën mesditën e nesërme.
Në dalje nga gjykata, avokatët e Veliajt nuk preferuan të jepnin asnjë prononcim për mediat.
Lexo edhe:
Veliaj kërkoi lirinë, SPAK dorëzon prova të reja – Çfarë ndodhi në seancën në Apel / DETAJET
Burimi