Fjalimi i parë pas lirimit/ Berisha kërkon qeveri teknike: Rama dhe Soros dështuan në planin për shkatërrimin e opozitës
Kreu i PD, Sali Berisha ka dalë nga arresti dhe është pritur me brohoritma poshtë banesës në rrugën “Mustafa Matohiti” nga militantët e PD. Mbështetës të Berishës u mblodhën edhe në selinë blu, ku e pritën kryedemokratin me entuziazëm. Në një prononcim për mediat jashtë selisë, Berisha, duke komentuar vendimin e lirimit, tha se “piramida më e madhe e mashtrimit në historinë e drejtësisë europiane pas Luftës së Dytë Botërore mori sot goditjen më fatale”.
“Sot, Shqipëria u ndriçua nga rrezet e para të rikthimit në bazë të demokracisë. Sot, dita kur mostrat e demokracisë Edi Rama dhe Gjorgj Soros dështuan përfundimisht në tentativën e tyre për të shkatërruar opozitën shqiptare me grushtin e shtetit, që i bën asaj. Sakrifica e 130 ditëve triumfoi dhe u shpërblye. Sot është një ditë e mirë për shqiptarët, një ditë shprese”, u shpreh kryedemokrati.
“Sot nuk fitoi Sali Berisha, por e vërteta, ligji dhe Kushtetua, ka fituar Shqipëria”, theksoi. “Tani e tutje veprimi do jetë kryefjala e Sali Berishës”, tha kryedemokrati, i cili u zotua se do do të vijë në pushtet. “Na izoluan, por sot kemi mbështetjen më të madhe ndërkombëtare që kemi pasur ndonjëherë! Me dy rezoluta nga shumica e partive politike më të fuqishme të planetit që dënojnë narkoshtetin shqiptar“, tha.
Më tej gjatë fjalimit të tij, falenderoi të gjithë ata që e kanë mbështetur. Kryedemokrati përsëriti se akuzat e ngritura ndaj tij në çështjen “Partizani” janë mashtrime. “Mashtruan se Sali Berisha është i korruptuar. Po hetimi trevjeçarë nxori se Berisha u arrestua pikërisht se mbrojti interesin kombëtar, u arrestua pikërisht se ishte antikorrupsioni i shqiptarëve. Sepse provat e vetme që gjetën ishin bamirësi të vajzës sime ndaj fëmijëve me aftësi ndryshe dhe pagesat që ajo kishte bërë për shërbime mjekësore për mua, të gjitha të deklaruara. U përpoqën të blejnë heshtjen e Sali Berishës, po këtu tani u bënë qesharakë me veten e tyre. A mund të blihet heshtja e Sali Berishës? Kurrë”.
Në fund, Berisha i bëri apel kundërshtarit të tij politik, kryeministrit Edi Rama të pranojë kërkesën e opozitës për formimin e qeverisë teknike.
“Kam dhe një fjalë të fundit për autorin kryesor të këtij grushti shteti që iu bë opozitës shqiptare. Edi Rama, krijo qeverinë teknike, mos e zvarrit kot narkopushtetin tënd! Se vetë Zoti e ka thënë, që të kthehem unë, pastroni shtëpinë. Ne do pastrojmë shtëpinë tonë me ndihmën e Zotit, besimin e pakthyeshëm në vlerat dhe parimet tona! Krijo qeverinë teknike se mosbindja civile është gati në radhë. Këta burra e gra, djem dhe vajza do kenë liderin e tyre me vete. Këto shqiptarë duan përgjigje nga ty! Sepse piramida jote e mashtrimit sot u shkërmoq përfundimisht. Do përgjigjesh si puçist për grushtin e shtetit që bëre kundër opozitës! Do përgjigjesh për një vit që e ke lënë ata me kryetar të izoluar. Do përgjigjesh për atentatin që organizove kundër tij me qëllim që ta heshtje. Do përgjigjesh për 2 vite që grabite flamurin e PD. Prandaj ke vetëm një rrugë. Qeverinë teknike! Dhe të shkojmë në zgjedhje të lira”, tha Berisha, i cili u bëri apl qytetarëve ti bashkohen aksionit opozitar.
Lexo edhe:
Lirohet Sali Berisha, bie masa e arrestit shtëpiak
Burimi