“Femrat nuk e kanë kapacitetin për të sajuar barcaleta”, Bujar Kapexhiu sqaron deklaratën

“Femrat nuk e kanë kapacitetin për të sajuar barcaleta”, Bujar Kapexhiu sqaron deklaratën

I ftuar në emisionin “Ndryshe”, regjisori, skenaristi, karikaturisti dhe aktori i mirënjohur shqiptar Bujar Kapexhiu u ndal edhe në një deklaratë të bërë më parë prej tij, ku ishte shprehur se femrat nuk e kanë kapacitetin për të sajuar barcaleta.
Disa muaj më parë, ai ishte i ftuar në këtë emision ku foli për politikën dhe gjithashtu dha një deklaratë të fortë për humorin në shoqëri. Ai u shpreh se femrat nuk e kanë kapacitetin për të sajuar barcaleta.
Në rrjet pati shumë komente nga më të ndryshmet, ku shumica nuk ishte dakord me mënyrën e tij të të shprehurit. Ndaj Bujar Kapexhiu sqaroi njëherë e mirë atë çka donte të thoshte.
“Kam vendosur seriozisht të kërkoj një ndjesë. Radhën e kaluar u fol për humorin, për krijuesit e humorit dhe nga krijuesit e humorit doli një batutë e imja që e them edhe sot dhe është e vërtetë që humori është privilegj i të mençurve. Pra, nuk mund të bësh humor nëse nuk je i mençur, apo jo? Domethënë kur themi humor, humor të vërtetë që të qeshësh, fin, elegant, por midis këtyre u tha edhe një batutë tjetër.
Përse nuk ka femra që shkruajnë humor? Ka gjëra nga më të ndryshmet, ka problemet nga më të ndryshmet, ka situata nga më të ndryshmet, thënie nga më të ndryshmet, por njëra që u kap këtu u tha që janë të paafta. Problemi është kjo që ndoshta ka edhe probleme të tjera që nuk duan të bëjnë humor se mendojnë që është e një niveli të ulët, duan të jenë gjithmonë serioze, e të tjera nuk po them në këtë drejtim.
Femrat e mençura natyrisht që nuk shkruajnë, them të mençura se të tjerët janë zakonisht që nuk shkruajnë, po humor unë u bëj thirrje atyre që të shkruajnë humor, sepse ato mund të shkruajnë në mënyrë shumë origjinale, shumë të bukur. Në qoftë se nga batuta ime janë keqkuptuar, atëherë fajin patjetër që e kam unë. Unë kërkoj ndjesë”.
A është penduar Bujar Kapexhiu për atë që ka thënë?
“Nuk jam penduar për atë që kam thënë. Unë jam penduar dhe më vjen keq për keqkuptimin”.
 
Deri në vitin 1985, Kapexhiu xhiroi rreth 20 filma vizatimorë në shumicën e të cilëve është skenarist ose bashkëskenarist, regjisor dhe piktor. Mes tyre spikat edhe “Pipiruku”, personazhi i dashur për fëmijët i ndërtuar prej tij.
Pas vitit ’85 iu përkushtua zhanrit të kinokomedisë duke u shquar për individualitetin e spikatur. Në një kohë mjaft të shkurtër xhiroi katër filma artistikë : “Dy herë mat”, “Tela për violinë”, “Stolat në park” dhe “Edhe ashtu, edhe kështu”.
 
 
 
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente