Euro prek minimum të ri historik, dollari në nivelin më të ulët që nga 2008

Euro prek minimum të ri historik, dollari në nivelin më të ulët që nga 2008

Kursi i këmbimit të euros po vijon rënien edhe këtë javë, duke vendosur rekorde të reja historike.
 
Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye të martën me 99.6 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë. Rënia vjetore e kursit të këmbimit euro-lek tashmë po thellohet përsëri dhe ka arritur tashmë në afërsisht 6%.
 
Sipas agjentëve të këmbimit valutor, arsyeja kryesore e rënies së euros në javët e fundit është tërheqja e Bankës së Shqipërisë nga kontrolli mbi kursin e këmbimit të lekut me monedhën europiane. Qysh prej muajit maj, Banka e Shqipërisë kishte nisur ndërhyrjen në tregun valutor, për të mos lejuar rënien e euros poshtë kufirit të 100 lekëve.
 
Banka qendrore arriti ta mbante kursin sipër këtij kufiri psikologjik deri në dhjetë ditët e para të muajit gusht. Por, më datë 12 gusht euro ra për herë të parë poshtë kufirit të 100 lekëve, ndërsa një tendencë e ngadaltë rënëse ka vijuar edhe në ditët në vijim. Tregu priste një ndërhyrje të Bankës së Shqipërisë për ta kthyer euron sipër kufirit të 100 lekëve, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
 
Banka e Shqipërisë nuk ka komunikuar arsye për këtë ndryshim disi të papritur të qasjes së saj ndaj kursit të këmbimit. Në përgjithësi, banka qendrore është treguar e rezervuar në publikimin e të dhënave për ndërhyrjet direkte në tregun valutor. Madje, Guvernatori Gent Sejko, refuzoi të bënte publike shifra edhe në raportimin e tij para Kuvendit, duke shpjeguar se ky informacion do të jepet sipas afateve të përcaktuara nga banka qendrore për ndërhyrjet në tregun e parasë, me një kohë vonesë prej rreth tre muajsh.
Zyrtarisht, Banka e Shqipërisë e ka argumentuar ndërhyrjen në kursin e këmbimit me objektivin e saj kryesor ligjor, atë të shënjestrimit të inflacionit. Këtë vit inflacioni ka zbritur poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë dhe në korrik shënoi nivelin 2.1%, në nivelet më të ulëta në afërsisht tre vitet e fundit. Moslejimi i një forcimi të mëtejshëm të lekut kishte synim të frenonte rënien e mëtejshme të inflacionit.
 
Ndërkohë, leku po vazhdon të forcohet edhe në kursin e këmbimit me monedhat e tjera kryesore. Pjesërisht, kjo i detyrohet forcimit ndaj euros, që ngelet valuta referuese edhe në përcaktimin e kursit të lekut me valutat e tjera. Gjithashtu, zhvlerësimi i valutave të tjera dhe kryesisht dollarit amerikan në tregjet e huaja po ndikon në rënien e tyre edhe ndaj lekut.
 
Dollari amerikan u këmbye të martën me 89.93 lekë, duke prekur nivelin më të uëlt që prej fundit të vitit 2008.
 
Forcimi i lekut ka patur një ndikim të konsiderueshëm në uljen e inflacionit dhe ka favorizuar importuesit e mallrave dhe të shërbimeve nga jashtë. Efekte pozitive nga forcimi i lekut në përgjithësi ka patur edhe qeveria shqiptare, sepse kursi i këmbimit ka qenë faktori me ndikimin kryesor në uljen e borxhit publik në vitet e fundit.
 
Gjithashtu, huamarrësit në euro me të ardhura në lekë kanë patur përfitime të konsiderueshme në uljen e vlerës së huasë dhe kësteve të saj.
 
Por, forcimi i lekut ka goditur eksportet shqiptare. Për 7-mujorin, eksportet e mallrave ishin në rënie me 14.5%. Një lek gjithnjë e më i fortë, i ndërthurur me presione të larta nga tregu i punës për rritjen e pagave, po godet edhe sektorin e shërbimeve, duke filluar nga turizmi.
 
Gjithashtu, forcimi i lekut po ndikon negativisht edhe familjet përfituese të remitancave, duke ulur të ardhurat e tyre të disponueshme në lekë.
Burimi