Edhe Kushtetuesja refuzon komisionin e Fatmir Xhafajt

Edhe Kushtetuesja refuzon komisionin e Fatmir Xhafajt

Gjykata Kushtetuese ka refuzuar që të bëhet pjesë e të ashtuquajturit Komisioni i Posaçëm Anti-Korrupsion.
Përgjigjia ka ardhur nga vetë kryetarja e Kushtetueses, Holta Zaçaj, e cila përmes një shkrese drejtuar Kuvendit thekson se “s’mund të marrin pjesë në komision, pasi nuk bëhen pjesë në aktivitete ligjbërjeje”, duke refuzuar që të dërgojë ekspertët e saj.
“Të nderuar më përgjigje të shkresës Tuaj nr. 3016, datë 31.07.2024, me anë të së cilës kërkohet caktimi i përfaqësues/ekspert dhe profesionist nga Gjykata Kushtetuese në Komisionin e Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”, duke ju përgëzuar për nismën, ju bëjmë me dije se Gjykata Kushtetuese, për shkak të funksionit të saj, nuk mund të marrë pjesë në aktivitete që lidhen me procese ligjbërëse, pasi kjo mund të sjellë në të ardhmen konflikt në ushtrim të funksionit të saj në kontrollin e pajtueshmërisë së ligjeve me Kushtetutën, përveç rastit të ndryshimeve në Kushtetutë dhe ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, shkruhet në përgjigje.
Vendimi vjen pas ftesës që iu drejtua nga Komisioni në fjalë institucioneve Kushtetuese në vend, përfshirë edhe ato të drejtësisë, lidhur me ligjbërje, dhënie mendimi apo veprimtarinë e këtij komisioni ad-hoc.
Më herët, edhe Prokuroria e Posaçme e drejtuar nga Altin Dumani dhe Prokuroria e Përgjithshme e drejtuar nga Olsian Çela refuzuan të dërgonin ekspertët e tyre në Komisionin e Posaçëm Anti-Korrupsion.
Ky komision drejtohet nga Fatmir Xhafaj, vëllai i trafikantit ndërkombëtar të drogës Agron alias Geron Xhafaj. Komisioni ka në përbërjen e tij 11 anëtarë, 6 nga PS dhe 5 nga opozita, ku anëtarët janë kryetarët dhe zv. kryetarët e 4 komisioneve të përhershme parlamentare dhe ata të Këshillit të Integrimit Evropian.
Deri më tani opozita e ka bojkotuar duke mos marrë pjesë në asnjë mbledhje të komisionit Xhafaj, pasi e ka interpretuar ngritjen e këtij komisioni si një tentativë të kryeministrit Edi Rama për të vënën nën kontroll SPAK-un dhe GJKKO-në.
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente