Edhe ambasada amerikane reagon për karriget e djegura të Kuvendit: Të shqetësuar…
Ambasadat perëndimore në vendin tonë filluan të reagojnë menjëherë në kor kundër opozitës për aksionin që ndërmori ditën e djeshme në Kuvend, edhe pse ato heshtën pas dënimit politik me burgosje të deputetit Ervin Salianji, pa u bazuar në prova dhe në ligj.
Pas ambasadorit të BE-së, Silvio Gonzato, së fundmi ka reaguar edhe ambasada e SHBA-së, e cila thekson se është “thellësisht e shqetësuar” për atë se çfarë ndodhi ditën e djeshme në Kuvend, një gjuhë e ngjashme me atë të kryeministrit Edi Rama.
Sipas selisë diplomatike amerikane në Tiranë, akte të tilla dëmtuese dhe potencialisht lënduese nuk kanë vend në procesin demokratik, teksa shton se palët e përfshira të ushtrojnë vetëpërmbajtje dhe të angazhohen në dialog konstruktiv.
Në një postim në X, Ambasada e SHBA thotë se do të vazhdojë të qëndrojë krah institucioneve shqiptare teksa punojnë për ta sjellë Shqipërinë më pranë bashkësisë euro-atlantike.
“Ambasada e SHBA është thellësisht e shqetësuar për shkatërrimin dhe forcën e shpalosur në parlamentin shqiptar të hënën. Akte të tilla dëmtuese dhe potencialisht lënduese nuk kanë vend në procesin demokratik. Nxisim të gjitha palët e përfshira të ushtrojnë vetëpërmbajtje, të angazhohen në dialog konstruktiv si dhe të përqafojnë vlerat e respektit dhe qytetarisë. Mbështesim diskutimet paqësore dhe bashkëpunuese lidhur me negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE si dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë krah institucioneve shqiptare teksa punojnë për ta sjellë Shqipërinë më pranë bashkësisë euro-atlantike”, thuhet në reagim.
Burimi