E shoqëruan në komisariat, protestuesja: Na ngritën në ajër

E shoqëruan në komisariat, protestuesja: Na ngritën në ajër

Një nga protestueset që u shoqërua në komisariat nga policia, pas lirimit tha se “policia na ndaloi për bllokimin e mjeteve të transportit publik”.
“Kjo gjë nuk qëndron, pasi ishte marrë leje për protestë dhe qarkullimi i mjeteve ishte bllokuar kur shkuam neve te sheshi. Më pas, neve nuk na arrestuan në protestë, por na kanë ndjekur kur ishim duke shkuar në shtëpi. Na kanë ngritur në ajër dhe kam hematomë në këmbën e majtë”, tha protestuesja.
Kur u pyet se si u trajtuan brenda në komisariat, zonja u përgjigj: “Këtu, të them të drejtën, nuk pati ndonjë problem. Si duket, e kuptuan gabimin”.
Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, nga komisariati numër 2 në Tiranë deklaroi se “Këtu janë të shoqëruar 10 protestues, mes tyre 4 zonja. Të gjithë janë marrë në mënyrë të dhunshme, në shkelje të procedurave e ligjit”, tha fillimisht Vokshi.
Deputetja demokrate shtoi: “Zonjat kanë qenë në protestën e njoftuar sipas ligjit, te sheshi Wilson. Pasi policia e shpërndau në mënyrë të dhunshme protestën, zonjat po ktheheshin në shtëpi sepse njëra prej tyre ishte me probleme shëndetësore. Furgoni i policisë ka ndaluar dhe një burrë i veshur civil i ka futur në furgon në mënyrë të dhunshme, pa i treguar të drejtat e tyre. Zonjat kanë hematoma”.
Sipas deputetes demokrate, shefi i komisariatit i ka thënë se “zonjat janë ndaluar se kanë bllokuar rrugën, por kjo nuk është e vërtetë se protesta ishte paralajmëruar”.
gijotina.com/
Burimi