Dyshime për një goditës së dytë në vrasjen e 14-vjeçarit/ Policia: Pamjet filmike tregojnë se ka vetëm një autor (por nuk i publikon). Sulmon dhe median!

Dyshime për një goditës së dytë në vrasjen e 14-vjeçarit/ Policia: Pamjet filmike tregojnë se ka vetëm një autor (por nuk i publikon). Sulmon dhe median!

Policia këmbëngul se ka vetëm një autor në vrasjen e 14-vjeçarit pranë shkollës “Fan Noli” në kryeqytet, në një njoftim ku sulmon edhe median.
Reagimi vjen pas raportimeve dhe dëshmive në media për një tjetër të mitur i cili dyshohet se ka goditur me thikë në sherrin që i mori jetën 14-vjeçarit. Në këtë rast mbeti i plagosur një tjetër i mitur, dëshmitar i dorës së parë në ngjarje, i cili dëshmoi për mediat për një autor të dytë në konflikt, shok me të arrestuarin, i cili sipas tij kishte goditur me thikë.
Opozita ndërkohë denoncoi se i mituri në fjalë – i dyshuar si goditësi i dytë me thikë – mbrohet nga policia pasi është djali i një çifti bashkëshortësh të punësuar pranë SPAK dhe BKH-së.
Megjithatë, Policia këmbëngul se ngjarja ka vetëm një autor. Në një komunikim për mediat këtë të enjte, thotë se konkluzioni bazohet në veprimet hetimore, mes tyre edhe këqyrja e pamjeve të ngjarjes. Megjithatë, Policia refuzon të publikon pamjet e sherrit që i mori jetën 14-vjeçarit, duke arsyetuar se në këtë mënyrë mbron “sekretin hetimor”.
“Nga veprimet hetimore të deritanishme të kryera në drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, veprime të cilat janë të bazuara në prova të pakontestueshme për ngjarjen tragjike dhe autorësinë e saj, rezulton se kemi të bëjmë vetëm me një autor, përshkruar edhe në komunikatat e Policisë së Shtetit dhe e regjistruar në materialin filmik të ngjarjes, të cilin ligji na ndalon ta publikojmë për shkak të sekretit hetimor”, thotë Policia.
Lidhur e dinaken, blutë shtojnë se “autori i vrasjes është goditur dhe shtrirë përtokë nga viktima dhe shoku i këtij të fundit. Ai ka reaguar duke qëlluar me thikë, ndërkohë nga dëshmitë e personave te pranishëm në konflikt, po edhe nga tërësia e provave të administruara nuk rezulton që shoku i autorit të ketë gjuajtur me thikë shokun e viktimës, ndërkohë që ky së bashku me viktimën ishin mbi trupin e shtrirë përtokë të autorit”.
Policia sulmon median
Një tjetër pjesë të njoftimit, që zë një volum të konsiderueshëm, Policia sulmon median vetëm se publikoi një zë tjetër që fliste për ngjarjen, i ndryshëm nga ai që përcjell vetë Policia.
Misioni i medias është të pasqyrojë të gjitha zërat për një histori, në përpjekje për të zbardhur të vërtetën, qofshin këto zëra që nuk i shkojnë për shtat Policisë apo pushtetit.
Por, për Policinë, kjo nuk duhet të ndodhë!
Policia, që përveç zbardhjes së ngjarjes, ka mision edhe të bëjë transparencë me të gjitha mjetet ligjore që ka në dispozicion pa përdorur justifikime, kërkoka të vendoska diktatin edhe në përcjelljen e informacionit në media!
“Policia e Shtetit shpreh indinjatë për keqtrajtimin publik që kulmoi me lajmin e rremë të pranisë së një autori të dytë me thikë, në vrasjen tragjike të ngjarjen e datës 18.11.2024, ku humbi jetën nxënësi 14-vjeçar M.C. Pavarësisht komunikatave të Policisë së Shtetit, të cilat nuk janë lajme portalesh po informacion për publikun me përgjegjësi të plotë ligjore, një sërë burimesh të hapura u angazhuan fort dhe vazhdojnë të dizinformojnë opinionin publik lidhur me autorësinë e ngjarjes. Kjo qasje shpërfillëse ndaj të vërtetës dhe lojë e pajustifikueshme me ndjenjat e publikut, e cila me qëllim apo me mungesë ndërgjegjeje të theksuar politike ose profesionale nga aktorët e medias, nxit pasiguri e mosbesim ndaj Policisë së Shtetit, duhet të ndalet”, thotë Policia në njoftimin e saj mbushur me nota urrejtje ndaj medias dhe misionit të saj për të raportuar të gjitha zërat për mbi ngjarjen në fjalë.
“Nga veprimet hetimore dhe proceduriale në drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shakllës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, nga momenti që ka filluar ngjarja dhe në vijim të hetimeve, nuk ekziston autori i dytë i ngjarjes që është sajuar duke hedhur dyshime të ulëta mbi vërtetësinë e komunikatave të Policisë së Shtetit. Grupi i posaçëm hetimor po punon pa orar për të bërë dokumentimin përfundimtar ligjor të ngjarjes. Policia e Shtetit u bën thirrje publikisht të gjitha burimeve të informimit publik të mos vazhdojnë të hedhin dyshime të pabaza mbi këtë ngjarje tragjike. Nga ana tjetër Policia e Shtetit e siguron me përgjegjësi të plotë institucionale dhe ligjore opinionin publik se çdo version tjetër i ngjarjes në fjalë është i gënjeshtërt”, thotë një tjetër pjesë e njoftimit, që mbart të njëjtë frymë urrejtje ndaj medias.
Burimi