“Duan të prekin ILD dhe KLSH”/ Karamuço: Komisioni Xhafaj synon të ndryshojë Kushtetutën

“Duan të prekin ILD dhe KLSH”/ Karamuço: Komisioni Xhafaj synon të ndryshojë Kushtetutën

Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, ka analizuar dështimin e Komisionit Xhafaj, i cili është kritikuar për shkak të refuzimit të pjesëmarrjes nga shumë institucione të drejtësisë.
I ftuar në Euronews Albania, Karamuço theksoi se ky komision, i cili fokusohet në reformën në drejtësi, ka për qëllim të sjellë një verdikt final që do të ndikojë në ndryshime të rëndësishme në Kushtetutën e Republikës.
Sipas tij, ndërhyrja në Kushtetutë do të prekë disa institucione kyçe, përfshirë Kontrollin e Lartë të Shtetit (KLSH), gjykatat në tërësi dhe Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë.
Karamuço nënvizoi se i vetmi institucion që do të përjashtohet nga këto ndryshime është SPAK-u (Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion).
Kjo situatë, sipas tij ngre pyetje të shumta rreth efektivitetit të reformave në drejtësi dhe nevojës për një qasje më të qëndrueshme dhe të koordinuar nga të gjitha institucionet përkatëse.
“Tek Komisioni i dytë ne nuk kemi një dokument të dytë, por kemi disa drafte të gatshme se ku do të ndërhyhet dhe marrim ekspertët i pyesim; a duhet ta ndryshojmë këtë apo jo?
Ky Komision do dalë me një verdikt final që do të kërkojë të ndryshohet Kushtetuta. Duke filluar nga Kushtetuta, këta synojnë që të prekin disa persona, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, KLSH-në, gjykatat në tërësi.
Organet e posaçme e kanë me vijë të kuqe që nuk mund t’i prekin dot, por njësitë anti-korrupsion do të jenë si një drejtoritë e veçantë.
Do futen edhe njësi të veçanta të policisë, si një task-forcë e përbashkët për administratën, për të gjeneruar sa më shumë denoncime dhe kallëzime.
Ne kemi sot një koeficient shumë të lartë të problematikave për sundimin e ligjit; jemi kampionë në Ballkan, pra moszbatimi i akteve nënligjore është në kaos.
Pyetja është, a e zgjidh dot ky Komision me instrumente ekzekutive këtë problematikë?” – tha Karamuço.
Burimi