Drejtori i ri i Gardës/ Kronologjia e një farse – Si shteti iu ul në gjunjë Shefqet Kastratit

Drejtori i ri i Gardës/ Kronologjia e një farse – Si shteti iu ul në gjunjë Shefqet Kastratit

“Ti mund të jesh ambasador, doktor, ushtarak i lartë, biznesmen apo hajdut, gjithsesi do të duhet ti shërbesh dikujt”. Vargjet e kënduara që prej viteve ‘70 nga Dylan, i konsideruar ndoshta kantautori më i madh që ka shkelur mbi tokë, janë gati profetike dhe vërtetësia e tyre rrjedh kulluar deri në ditët e sotme. Dhe suksesi, sidomos në realitetin e sotëm shqiptar është i lidhur ngushtë me padronin të cilit i shërben.
Një shembull tipik për të shpjeguar mekanizimin është ai i drejtorit të ri të Gardës, Ermal Onuzi, emri i të cilit u përfol publikisht muaj më parë teksa socialistët ndryshuan në mënyrë të njëanshme ligjin për zgjedhjen e drejtuesit të këtij institucioni.
Lidhja me Kastratin
Në CV-në e pasqyruar në institucionin e Gardës, përcaktohet se puna e fundit e Ermal Onuzit ka qenë ajo në shërbim të Shefqet Kastratit: “Në vitin 2022, është emëruar Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes (AISM). Më pas, për rreth një vit ka punuar në sektorin privat duke mbajtur funksionin e Drejtorit Operacional të Kompanisë S2 Secure Albania, me fushë përgjegjësie përgatitjen e politikave të sigurisë, protokolleve dhe procedurave që lidhen me sigurinë aeroportuale”.

“S2 Secure Albania”, referuar Qendrës Kombëtare të Biznesit, rezulton në pronësi të një firme tjetër të regjistruar në SHBA dhe ka si veprimtari: “Të ndërmarrë aktivitete të kontrollit dhe inspektimit ne Aeroportin Nene Tereza, apo aeroporte të tjera, të personave dhe udhëtarëve, paletave të ngarkesave ajrore, bagazheve, dhe pakove, etj”.
“Nënë Tereza”, prej gati katër vitesh është nën zotërimin e “grupit Kastrati” të Shefqet Kastratit, pas blerjes së koncesionit të menaxhimit të aeroportit të Tiranës nga “Real Fortress Private Limited”.

Pra, e shpjeguar e një gjuhë më të thjeshtë, puna e fundit e Ermal Onuzit ka qenë ajo e badigardit të Shefqet Kastratit – i njohur gjegjësisht si një nga oligarkët më të fuqishëm në Shqipërinë dhe i afërt me kryeministrin Edi Rama.
“Një ligj me porosi”
Pas 11 vitesh në krye të Gardës së Republikës, Komandanti i Përgjithshëm Gramos Sako dha dorëheqjen nga detyra në Shkurt të këtij vitit.
Disa ditë më pas, deputeti socialist dhe kryetari i komisionit të Sigurisë, Nasip Naço propozoi një projektligj që parashikonte ndryshimin në ligjin “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”. Nisma e re që nisi të shqyrtohej në komisionet parlamentare më Mars shkaktoi mosbesim te opozita dhe ekspertët e fushës.
Kundërshtia lidhej kryesisht me ndryshimet që pësonte Neni 17 i ligjit aktual. Në thelb, deputeti Nasip Naço, kërkonte rënien e kriterit që përcaktonte se drejtuesi i Gardës së Republikës duhet të të jetë punonjës i Gardës që mban gradën “Drejtues i parë” ose “Drejtues i lartë”. Propozimi i socialistit parashikonte se për tu zgjedhur në krye të institucionit mjaftonte një përvojë pune jo më pak se 10 (dhjetë) vjet në fushën e rendit ose sigurisë.
Ndryshimet në ligj/ Si u bë
Ndryshimet në ligj/ Si ishte
Një ndryshim i tillë thelbësor në zgjedhjen e kryegardistit të ri, për ekspertë të fushës dhe ligjvënësit opozitar, bëhej për një qëllim mjaft të qartë: Kreu i ri i paracaktuar nuk i plotësonte kriteret që përcaktonte ligji i atëhershëm dhe duhej një i ri për ta ngjitur në karrigen e pushtetit.
“I zgjedhuri i Kastratit”
Opozita denoncoi jo vetëm se ligji i ri ishte një kostum me porosi për drejtorin e paracaktuar të Gardës, por zbuloi dhe emrin: Ermal Onuzi.
Ishin disa ligjvënës që denoncuan se pikërisht Ermal Onuzi – njeri i afërm me oligarkun Shefqet Kastrati – do të zgjidhej në krye të Gardës së Republikës i ndihmuar nga një konkurs farsë dhe një ndërhyrje në ligj.
“Ky është një rast ku Kuvendi do të duhej të ndalej, sepse bëhet fjalë për një ligj mirëfilli të porositur. I porositur nga oligarku Shefqet Kastrati për të emëruar shtetasin Ermal Onuzi, kushëririn e tij në krye të Gardës së Republikës,” tha në seancën plenare të 21 Marsit kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi.
“Jeni duke i hapur rrugën me ligj njerëzve që vijnë si influenca personale të oligarkëve,” tha deputeti tjetër demokrat Ervin Salianji në Kuvend, duke përmendur emrin e Onuzit si i paracaktuar për të drejtuar Gardën në të ardhmen.
Ministri i Brendshëm i kohës, Taulant Balla i quajti akuzat “lexim horoskopi” dhe me forcën e kartonit socialistët miratuan ndryshimet ligjore.
“Horoskopi” doli!
Në mënyrë aspak surprizë, emri i Ermal Onuzit ishte mes gjashtë kandidatëve për të marrë drejtimin e Gardës.
Askush nuk u surpriza edhe kur Ministri i ri i Brendshëm, Ervin Hoxha e prezantoi Ermal Onuzit si fituesin e “konkursit” për përzgjedhjen e drejtuesit të Gardës së Republikës dhe shefin e ri të këtij institucioni.
“Parashikimi i horoskopit”, siç u përcaktua nga ish-ministri Balla, doli i saktë!
Vallë, të ketë qenë rastësi? Opozita nuk është dakord me pandehmën dhe në seancën parlamentare të 12 Shtatorit kërkoi ngritjen e një komisioni etike për procedurat që çuan në ndryshimin e ligjit dhe hapën rrugën e përzgjedhjes së kreut të ri të Gardës, për të cilin ripërsëriti se ishte paracaktuar.
“Do duhet të ngrini komision etike për të ditur kush e solli ligjin në Kuvend, kush i detyroi deputetët të votonin një emër që Rama e firmosi në shtator të 2024, në fakt e zgjodhi si investim i një oligarku që në shkurt 2024”, deklaroi Bardhi në seancë plenare.
Bardhi akuzoi se ky ishte rasti konkret i korrupsionit më të lartë, të miratimit të ligjeve me porosi, një mekanizëm, që sipas tij, mazhoranca e ka kthyer në normalitet.
Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali nuk iu përgjigj kërkesës së Bardhit për komision etike. Në një reagim për “Birn”, Onuzi pretendoi se “nuk kam asnjë lidhje me Shefqet Kastratin”. Edhe grupi “Kastrati” dhe presidenti i tij, Shefqet Kastrati hodhën poshtë deklaratat për lidhje familje apo ndërhyrje në procesin e emërimit të Onuzit në krye të Gardës së Republikës.
Iniciatori i ndryshimeve ligjore, deputeti Nasip Naço, pretendoi se “kriteret i ndryshuam pasi me kriteret e vendosura në vitin 2021 vetëm 1 ose 2 persona mund të kandidonin”. Por Naço nuk arriti dot t’i jepte një arsyetim faktit që personi i paralajmëruar nga opozita u zgjodh në krye të gardës. “Unë nuk mund të di kush konkurron kur propozoj një nismë ligjore”, tha ai.
Kronologjia dhe faktet e parashtruara tregojnë se më shumë se një rastësi astrologjie, zgjedhja e Ermal Onuzit, badigardit të Shefqet Kastratit, përben një precedent tipik që pasqyron sesi një shet i tërë vihen nën urdhrat e një oligarku.
Fuqia e një oligarku – Kastrati nis transferimin e parave jashtë Shqipërisë
Për të njohur fuqinë që oligarku ka mbi qeverinë dhe shtetin shqiptar mjafton shprehja qesëndisëse që qarkullon në tavolinat e Tiranës: Po ra Çeti, ra shteti!
Biznesmeni i afërt me qeverinë dhe zotërues i dhjetëra bizneseve e koncesioneve si Aeroporti i Rinasit, porti i mallrave në Porto Romano, porti i Limionit në Sarandë, Rruga e Kombit, etj, është akuzuar si përfitues i parave publike përmes procedurave korruptive tenderuese, kontrabandë nafte, zaptues i tokave shtetërore, betonizimin e hapësirave të gjelbra, zhvatjen e qytetarëve përmes monopoleve, shembjen e monumenteve të mbrojtura…
I pakapshëm nga drejtësia e re dhe e vjetër, ai vijon të lulëzojë dhe të shtrijë aktivitetet e tij edhe jashtë Shqipërisë. Madje edhe në vendet më të zhvilluara siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një lëvizje që duket si një aksion i mirëmenduar i pastrimit të parave të pista të përfituara me bekimin e kryeqeveritarit Edi Rama.
Së fundmi, mediat që shërbejnë si zyra shtypi të oligarkut njoftuan se “Kastrati Group” bleu nga familja mbretërore në pushtet të Katarit “SLS Brickell” një nga hotelet më në zë në Majemi të Shteteve të Bashkuara, të cilën e emërtoi më pas “Dua Hotel”. Transaksioni u raportua plotë 55 milionë dollarë.
Burimi