Dosja ndaj 5 serbëve për krime lufte, njëri prej tyre pjesëtar i Policisë së Kosovës
Është siguruar dosja e Gjykatës së Prishtinës, e cila pas kërkesë së Prokurorisë Speciale ua ka caktuar nga një muaj paraburgim të pandehurve Dragan Cvetkoviq, Dragan Niqiq, Millosh Shoshiq, Nenad Stojanoviq, Sllobodan Jevtiq, që nga data 03.08.2024.
Prokuroria Speciale po dyshon se të lartcekurit kanë kryer krime krime lufte kundër popullatës civile shqiptare, parparë me ligjin penal të ish-Jugosllavisë.
Sipas vendimit për paraburgim, një nga të dyshuarit, përkatësisht Millosh Shoshiq, rezulton të jetë pjesëtar i Policisë së Kosovës. I njëjti banon në komunën e Parteshit.
Kërkesën për paraburgim të të dyshuarve e kishte parashtruar Prokuroria Speciale, përkatësisht prokurori Atdhe Dema.
Sipas Gjykatës vendimi për paraburgim është marrë sepse, Prokuroria Speciale para së gjithash e kishte elaboruar qartë dyshimin e bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën dyshohen.
Kjo me theks të veçantë sipas gjykatës është bërë me anë të provave materiale dhe dëshmitarëve të rastit të ofruar nga organi i ndjekjes.
Gjykata ka vlerësuar se ekziston rrezik real i ikjes së të pandehurve, arratisjes së tyre në Serbi apo gjëkundi, në rast se nuk vendosen në paraburgim për shkak se të njëjtit posedojnë edhe pasaporta kosovare edhe serbe.
Tutje Gjykata ka marrë për bazë faktin se duke qenë se rasti është në fazë të hershme hetimore të dyshuarit mund të ndikojnë në prova – përkatësisht të bëjnë përpjekje t’i zhdukim apo dëmtojnë ato si dhe të ndikojnë në dëshmitarë, apo të pandehurit e tjerë që akoma gjenden në arrati.
Katër nga pesë prej këtyre të paraburgosurve evidentohet të jenë banorë të komunës së Parteshit.
Dragan Cvetkoviq, me profesion është rrobaqepës, Dragan Niqiq me profesion është mësues, Slobodan Jevtiq me profesion punëtor në pompë të derivative.
Vetëm Nenad Stojanoviq banon në Kamenicë, me profesion bujk.
Sipas deklarimeve të prokurorit special Atdhe Dema gjatë seancës dëgjimore lidhur me caktimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarve janë deklaruar së paku 19 të dëmtuar dhe dëshmitarë.
Gjithnjë sipas organit të ndjekjes, thuhet se këta të dëmtuar dhe dëshmitarë kanë përshkruar qartë se të pandehurit kanë qenë të përfshirë në vrasje, plagosje, djegie për së gjalli të viktimave civile shqiptare, marrje peng, dhunime, rrahje, maltretime, tortura fizike e psikike, plaçkitje, shkatërrim të pronave të shqiptarëve dhe dëbim të tyre.
Njëlloj është deklaruar gjatë seancës, sipas dosjes së gjykatës, se të njëjtit janë përfshirë në shkatërrim e abuzim të objekteve kulturore dhe fetare gjatë kohës së luftës konkretisht me datë 05.04.1999 në fshatrat Kokaj, Llovcë, Pogragjë dhe Uglar.
Çka kishin deklaruar në seancën dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre?
Kërkesën e Prokurorisë për paraburgim gjatë seancës dëgjimore sipas aktvendimit për paraburgim të marrë nga gjyqtari i procedurës paraprake Valon Kurtaj, e kanë kundërshtuar mbrojtësit e të dyshuarve.
Mbrojtësja e të pandehurit Dragan Cvetkoviq, avokatja Jovana Filipoviq duke e kundërshtuar kërkesën ndër të tjera ka thënë se Prokuroria nuk e ka përcaktuar çfarëdo veprimi individual të cilën pretendon se e ka kryer klienti i saj Cvetkoviq.
Sipas avokates për klientin e saj nuk ekziston rreziku i ikjes pasi po qe se i njëjti do t`i kishte kryer ato veprime për të cilat dyshohet nuk do të jetonte në Kosovë.
Më tej avokatja ka kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë nga ajo e paraburgimit në atë të arrestit shtëpiak apo të dorëzanisë, për shkak të, siç ka thënë ajo, gjendjes së keqe shëndetësore të Cvetkoviqit.
Avokatja ka deklaruar se djali i Dragran Cvetkoviq është i gatshëm të dorëzojë 10,000 euro në emër të masës së dorëzanisë.
I pandehuri Dragan Cvetkoviq e ka përkrahur fjalën e avokates dhe vetëm ka thënë se “çdo here do t’i përgjigjet ftesës së gjykatës”.
Mbrojtësi i të pandehurit Dragan Niqiq, avokati Vasilije Arsiq, ndër të tjera ka deklaruar se aktvendimi për fillimin e hetimeve është bërë duke u bazuar në deklaratat e dëshmitarëve 2 dekada e gjysmë pas ngjarjes së pretenduar duke hedhur dyshime nëse pas një periudhe të tillë dëshmitarët do të mund të identifikojnë personat nga ajo periudhë.
Ai ndër të tjera ka shtuar se nuk e sheh asnjë fakt për veprën penale për të cilën i mbrojturi i tij është dyshuar.
Edhe avokati Arsiq e ka potencuar moshën e cilësuar si “të vjetër” prej 66 viteve dhe gjendjen shëndetësore të keqe të të mbrojturit të tij si kundërshtim ndaj masës së paraburgimit. Në vend të kësaj mase avokati ka kërkuar masën e arrestit shtëpiak me garancinë plotësuese që i njëjti të lajmërohet në stacion policor si dhe dorëzaninë në shumën prej 10,000 eurove.
Dragan Niqiq e ka përkrahur fjalën e avokatit, vetëm ka shtuar se “e kam zemrën e dobët, kam probleme me veshka, me këmbë dhe kam një shtrëngim në gjoks dhe nuk mund të marrë frymë”.
Mbrojtësi i të pandehurit Millosh Shoshiq, avokati Ljubinko Todoroviq e ka quajtur kërkesën për paraburgim në tërësi të pabazuar.
“Klienti im është praktikisht në mardhënie pune me Policinë e Kosovës dhe të gjitha verifikimet të cilat janë bërë që të mund të vepronte në këtë profesion, ku janë këto organe të cilat i kanë kryer këto veprime”, është deklaruar ndër të tjera në seancë dëgjimore avokati i të paraburgosurit polic.
Kurse Millosh Shoshiq evidenton dosja e gjykatës është shprehur se ai kujdeset dhe siguron fëmijët e personave të cilësuar si dëshmitarë nga prokuroria.
“Mbrëmë kam punuar, dhe për 16 vite sa jam në Polici askush me gisht nuk ka bërë nga unë nga më i vjetri te më i riu” – citohet të ketë deklaruar ndër të tjera i pandehuri Millosh Shoshiq.
Më tutje në seancën dëgjimore sipas dosjes së gjykatës është deklaruar mbrojtësi i të pandehurit Nenad Stojanoviq, avokati Millosh Nikoliq, ka thënë se i mbrojtui i tij nuk ka marrë asnjëherë pjesë në luftë.
Lidhur me kërkesën për paraburgim avokati ka deklaruar se nuk janë përmbushur kushtet ligjore për këtë masë.
Mëtej masa e paraburgimit sipas avokatit është cilësuar tejet e rëndë përkitazi me gjendjen shëndetësore të klientit, ai ka propozuar ngjashëm me mbrojtësit e tjerë që kjo masë të arrestohet me arrest shtëpiak me detyrim për paraqitje në stacion policor si dhe me masën e dorëzanisë në lartësinë prej 10,000 eurove.
Vetë i pandehuri është pajtuar me deklarimin e avokatit ndërkohë që citohet të ketë deklaruar se “Se më tutje do të vazhdojë të jetojë në Kosovë, aty do punoj e vazhdoj jetën dhe asnjëherë nuk do ta lëshoj atë fshat”.
I fundit është deklaruar mbrojtësi i Slobodan Jevtiq, avokati Bogdan Laziq, edhe ai ka kërkuar ndryshimin e masës së paraburgimit me një masë më të lehtë si ajo e arrestit shtëpiak, si dhe dorëzani në shumën prej 10,000 deri në 20 000 euro.
Avokati ka shtuar se klienti i tij nuk ka qenë në asnjë strukturë ushtarake apo çfarëdo qoftë gjatë luftës.
Vetë i pandehuri citohet të ketë deklaruar se asnjëherë “këmba e tij nuk ka shkelur në ato fshatra” dhe se në atë kohë shoqëria e tij është bërë nga 90% shqiptarë. /Kallxo.com/
Burimi