“Dhëmb për dhëmb me këta horra”/ Berisha: Salianji denoncoi klanin e drogës Xhafaj

“Dhëmb për dhëmb me këta horra”/ Berisha: Salianji denoncoi klanin e drogës Xhafaj

Gjykata e Apelit vendosi të lërë në fuqi dënimin me 1 burg për Deputetin demokrat Ervin Salianji.
Lidhur me këtë vendim, ka reaguar edhe kryetari në arrest shtëpie i Partisë Demokratike Sali Berisha, i cili e quajti këtë një akt-shpallje lufte ndaj opozitës.
FJALA E BERISHËS
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme ju misionarëve të vërtetë të kauzës së drejtë të shqiptarëve. Oratorëve të kësaj platforme që shpërndajnë të vërteta në të katër anët e vendit.
Një përshëndetje dhe solidaritetin më të madh për deputetin Ervin Salianji, të cilin sot Edi Rama, Geron Xhafa, Fatzi Xhafa e dënuan me 1 vit burg sepse guxoi të përballej dhëmb për dhëmb, pa u tutur, me guxim qytetar me krimin, me klanin më të fuqishëm të drogës të Vlorës, Geron dhe Fatmir Xhafën.
Sot, Geron Xhafa, ky trafikant ndërkombëtar droge, i dënuar në Itali, me gjykim në Venezuelë, feston fitoren e tij mbi denoncuesin publik, deputetin e opozitës, Ervin Salianji.
Ervin Salianji sot u dënua në një akt shpallje lufte opozitës shqiptare nga Edi Rama me akuzën e kallëzimit të rremë.
Është rasti i parë në historinë e Shqipërisë që një njeri dënohet për kallëzim të rremë. Është rasti i parë në historinë e botës që një kallëzim i vërtetë, shpallet kallëzim i rremë.
Ervin Salianji u arrestua sot sepse provoi me zë dhe dokumente se Geroni, ky baron droge, ky kriminel i pashpirt, drejtonte trafiqet nga porti i Vlorës, ndërkohë kur kërkohej për të bërë burgun në Itali për krimet që kishte kryer në këtë vend.
Miqtë e mi, komisar Zagani u burgos kur denoncoi Habilajt se me makinën e Saimir Tahirit bënin trafikun e drogës.
Ndërkohë u faktua nga autoritetet italiane se ajo makinë jo vetëm u përdor, por u dha me qira për trafik droge.
Por, ju lutem, rikujtoni pak, Durim Bami, miku i Edi Ramës, deponoi se ishte paguar nga Ilir Meta për të eliminuar Tom Doshin.
Dhe ky u faktua me gjithë angazhimin e famëziut McGonigal se ishte një kallëzim i rremë. Ky kallëzim i rremë nuk mori asnjë ndëshkim. Kallëzimi i vërtetë i Ervin Salianjit mori një vit burg.
Miq, dënimi i sotëm është goditja e radhës që kreu i narkoshtetit shqiptar i bën opozitës shqiptare. Është goditja e radhës që krimi i jep antikrimit.
Është goditja e radhës me të cilën Edi Rama dëshmon se kësaj here, për mandatin e tij të katërt, ai nuk do mobilizojë vetëm bandat, qindra milionë euro patronazhistët, por kësaj here do të burgosë opozitën, do persekutojë opozitën. Atë mandat kërkon ta marrë me çdo kusht.
Të dashur miq, ky akt kriminal i dënimit të një deputeti që në emër të misionit të tij para zgjedhësve shqiptarë, në emër të betimit të tij para Kushtetutës së këtij vendi, në emër të opozitarizmit të vërtetë, guxoi të demaskojë dhe denoncojë klanin më të rrezikshëm të drogës, atë të ministrit të Brendshëm.
Nuk është pra një dënim ndaj një njeriu, nuk është pra këtu çështja e një individi, as edhe e një deputeti. Jo, jo, është çështja e opozitës që goditet për të mos ngritur kokën. Është çështja e ekzistencës apo mosekzistencës së opozitës.
Është çështja e nënshtrimit të saj para botës së krimit apo qëndresës me heroizëm kundër saj. Është çështja pra e betejës midis sovranitetit të shqiptarëve, midis ligjit dhe Kushtetutës, mafies dhe kodit të saj, krimit dhe drogës së saj.
Goditja me proces politik e Ervin Salianjit është një akt i shëmtuar, një hakmarrje e verbër politike e Edi Ramës dhe Fatmir Xhafës.
Është një kushtrim për çdo opozitar, që konsideron krimin, konsideron drogën si rrezik madhor për qenien e tij, ekzistencën e tij. Për ligjet, për rendin, Kushtetutën dhe vendin.
Kjo goditje, në serinë e goditjeve të opozitës, të arrestimeve dhe burgosjeve politike, është një kushtrim, është një apel për të gjithë opozitën, të ngrihet në këmbë o sot o kurrë.
Është radha jonë. Është radha jonë. Është radha jonë. Ndaj dhe sonte, u bëj thirrje shqiptarëve kudo që janë, opozitarëve kudo që janë, të ngrihemi dhëmb për dhëmb me këta kriminelë.
Dhëmb për dhëmb me këta trafikantë. Dhëmb për dhëmb me këta horra. Dhëmb për dhëmb me këta banditë.
Të lëmë mënjanë gjithçka, të nisim betejën për ekzistencën e opozitës, betejën për ekzistencën e ligjit, betejën për fitoren mbi krimin, betejën për përmbysjen e narkokrimit, betejën për Kushtetutën e vendit, betejën për sovranitetin e Shqipërisë.
Betejën për një drejtësi të pavarur. Betejën kundër mafies të çdo ngjyre, me guxim, me trimëri. Ja të vdesim, ja të rrojmë për liri. Demokrate e demokratë, kush ndjehet sot demokrate e demokrat, kush ndjehet sot opozitare e opozitar, t’i bëjë thirrje guximit të tij.
Nuk është problemi i një njeriu, është problemi i tij, familjes së tij, idealeve të tij, shoqërisë shqiptare, Shqipërisë në tërësi. Ndaj dhe të mobilizojmë çdo potencial. Shteti i krimit, diktatura e bandave, narkoshteti, na ka shpallur luftë. Të dalim në shesh të mejdanit, të përballemi, të fitojmë. Rrofshi ju, rroftë Shqipëria. Fitore, fitore, fitore!
gijotina.com/
Burimi