Detaje nga grabitja në Tiranë/ I mori 50 mijë euro borxh mikut të tij, më pas i vodhi edhe banesën
38-vjeçari Olsi Bibollari është vënë në pranga sot pasi akuzohet për vjedhjen e 15,000 eurove në një apartament në lagjen ‘Komuna e Parisit’. Apartamenti i përket Eqerem Hasanit, shef i urgjencës së sëmundjeve të brendshme në QSUT.
Bibollari pronar i një restoranti dhe aksioner i një bar kafeneje, kontakton mikun e tij mjek në urgjencën e QSUT-së dhe i kërkon ndihmë pasi biznesi i tij ishte pranë falimentit. Mjeku Hasani i përgjigjet pozitivisht, shkojnë pranë një notereje dhe i jep borxh 50 mijë euro.
Dy miqtë hipin në të njëjtën makinë por pasi zbret mjeku harron çelësin e apartamentit në sedilje. Bibollari merr çelësin dhe ngjitet në banesën e mikut të tij që i kishte marrë borxh 50 mijë euro, dhe kontrollon për sende me vlerë, ku gjen 15 mijë euro cash. I merr dhe largohet, ndërsa mjeku pas disa kohësh kupton se paratë i mungonin në vendin ku i ruante.
Hasani i drejtohet komisariatit ku bën kallëzim për humbjen e parave. Oficerët e Policisë Gjyqësore nisën marrjen në pyetje dhe kërkimet për gjetjen e provave ku nga kamerat e sigurisë shihet duke hyrë në apartamentin e mjekut miku i tij Olsi Bibollari.
Krijohen dyshimet se ai mund të jetë autori i vjedhjes në banesë dhe urdhërohet marrja në pyetje ku pranon veprën penale. “Jam drejt falimentimit, më duheshin paratë ndaj kërkova borxh, sa i takon veprimit në banesën e mjekut, nuk e kuptoj pse e kam bërë kam qenë në gjendje të dehur”.
Policia e Tiranës i vuri pranga 38 vjeçarit për veprën penale të vjedhjes ndërsa sekuestroi edhe shumën e parave në cilësinë e provës materiale. Çështja tashmë i ka kaluar Prokurorisë së Tiranës, ndërsa pritet të shihet nëse do nisë verifikim pasuror për mjekun rreth shumave të konsiderueshme të parave që dispononte.
Burimi