Deputetët vetëm shtypin butonin: PS kalon 24 projektligje, opozitës i rrjedhin votat

Deputetët vetëm shtypin butonin: PS kalon 24 projektligje, opozitës i rrjedhin votat

Me 75 vota u rrëzua amendamenti i Fatmir Mediut, ndërsa ai i Lulzim Bashës me 77 kundër.
Ndërkohë, u miratua me 103 vota edhe amendamenti i përshëndetur nga OSBE me bashkë-firmëtare kryetaren e Parlamentit Lindita Nikolla, ministren Elisa Spiropali, deputeten e PS-së, Etilda Gjonaj dhe deputetet demokrate Albana Vokshi dhe Dhurata Çupi, të cilat kërkonin që edhe në pjesën e hapur të listës, të sigurohet që ⅓ e atyre që do të shkojnë në Parlament të jenë gra.
Nga gjetjet e Komisionit për të dhënat e sistemit TIMS, u miratua vetëm raporti i mazhorancës, me 76 vota pro. Anëtarët e këtij komisioni nuk arritën të dilnin me një raport të përbashkët, por kryetari Gazment Bardhi, u shpreh se raportin e PD-së do ta dërgojë në SPAK.
Po ashtu, u miratuan pagat mbi 6 milionë lekë të gjyqtarëve të Kushtetueses. Me 74 vota pro, u ndryshua neni që parashikonte se paga e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese të ishte e barabartë me pagën e Kryetarit të Gjykatës së Lartë dhe rroga tashmë bëhet sa 96% e pagës së presidentit, plus 58 % shtesa për shkak të natyrës së veçantë të punës. Pra paga e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese bëhet 644 mijë lekë të reja. Ndërsa drejtuesi i Gjykatës ka 20% shtesë për shkak të pozicionit dhe paga e tij arrin 773 mijë lekë të reja. Fatmir Xhafaj, i cili edhe më herët ka kritikuar këtë projektligj, votoi kundër.
Edhe në projektligjin për një ndryshim në Kodin e Punës, që u miratua me 74 vota nga mazhoranca dhe 20 vota nga opozita, u vu re vota kundër nga deputeti socialist, Toni Gogu.
Më tej, u miratuan projektligjet “Për Policinë e Shtetit”, “Për ratifikimin e marrëveshjes kuadër ushtarake ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë”. Në projektligjin “Për miratimin e Planit Afatgjatë të Zhvillimit të Forcave të Armatosura 2024- 2033”, me socialistët i bashkuan votat edhe deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi dhe Fatmir Mediu. Madje, Kryemadhi propozoi një amendament për taksë zero për subjektet që merren me prodhimin apo mirëmbajtjen e armëve, municioneve dhe pajisjeve të teknologjisë ushtarake, që u miratua me 77 vota pro.
Pasi punimet e Komisionit të Sterilizimit dhe Check Up në Shëndetësi u zgjatën deri në tetor, Alban Xelili nga PS dhe Elda Hoti nga PD, u caktuan anëtarë zëvendësues.
Ina Zhupa u zgjodh kryetare e Komisionit për Edukimin, ndërsa Flutura Açka anëtare e këtij komisioni.
Po me shumicë votash, Merita Gurabardhi dhe Deniz Deralla u zgjodhën anëtarë të Bordit të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare.
gijotina.com/
Burimi