Dënimi politik për Salianjin/ Udhëheqësi Edi Rama flet si Enver Hoxha
Kryeministri Edi Rama ka përgëzuar vendimin e Gjykatës së Apelit, që këtë të Enjte, riktheu hijet e errëta të kohës komuniste duke dënuar një deputetet të opozitës vetëm se denoncoi vëllain trafikant të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Në një reagim të gjatë në rrjetet sociale, Rama shpërthen me fyerje kundër opozitës, medias e zërave kritikë me qeverinë.
Me një reagim alla Enver Hoxha, Rama etiketon armiqtë e partisë dhe përgëzon gjykatën që i ndëshkoi ata që sipas tij, shpifën kundër PS-së dhe ish-ministrit Fatmir Xhafaj – vëllai i trafikantit të drogës Geron Xhafaj.
“Sot u ushtrua për herë të parë nga gjykatat e vendit e drejta e sanksionuar në ligj për dënimin penal të kategorisë më të neveritshme të Shpifjes, Kallzimit të Rremë, lidhur me një histori që përpara disa vjetësh tronditi mbarë opinionin publik përmes një inskenimi kriminal kundër drejtuesit të procesit të Reformës në Drejtësi dhe vetë Partisë Socialiste si forca udhëheqëse e asaj reforme që prodhoi armiqësinë e paepur të të tremburve nga një Drejtësi e Re…”, shkruan Rama në një postim në “X” teksa shton se “kjo është një ditë e mirë për të vërtetën.”
Më tej ndër rreshta, ai fakton se dënimi politik për Salianjin, vjen pas dëmit që iu shkaktua familjes së ministrit Xhafaj, vëllai i të cilit u ekstradua drejt Italisë pas denoncimeve publike nga deputeti Ervin Salianji.
“… nëse dëmet morale e dhimbjet e patregueshme të familjeve tona që vijnë nga aktorë të paskrupullt mediatikë, jemi gati t’i mbajmë në kurriz si kosto të lirisë së të gjithë aktorëve të medias, nuk jemi dhe s’do të jemi kurrë gati të tërhiqemi nga proceset gjyqësore kundër shpifësve të veshur me kostume e flamuj partiakë dhe të armatosur me urrejtjen përçarëse e atdhenxirëse, që prej 34 vjetësh prodhon jashtënxjerrjet më të neveritshme të gojës”, shkruan udhëheqësi.
Teksa flet për “luftë”, e mbyll reagimin me një kërcenim të fortë ndaj zërave kritikë, që flasin të vërtetat që atij dhe regjimit nuk i shkojnë për shtat.
“Padiskutim që kjo është një luftë krejt e pabarabartë, ku në këtë rast shumica qeverisëse është një pakicë e papërfillshme përballë maleve e lumenjve të Shpifjes, por ne nuk do ta pranojmë kurrën e kurrës Mbretërinë paralele të Shpifarakëve si një pasojë fatale të bashkëjetesës në një shtet demokratik”, përfundon udhëheqësi Edi Rama.
Pas 34 vjetësh sovranitet të pakufizuar si një shtet brenda shtetit, Mbretëria e vetëshpallur e Shpifarakëve ka cënuar mijëra e mijëra jetë njerëzish e familjesh dhe ndotur përditë e përditë mjedisin publik të Shqipërisë, duke llahtarisur të madh e të vogël me jashtënxjerrjet e…
— Edi Rama (@ediramaal) September 26, 2024
Burimi