Dënimi i Salianjit, Bardhi kërkon mbledhje urgjente Këshillit të Mandateve: Akt hakmarrës politik
Pas vendimit të Gjykatës së Apelit të enjten për të lënë në fuqi dënimin me një vit burg të Ervin Salianjit, nën akuzën e kallëzimit të rremë, Grupi Parlamentar i PD ka kërkuar mbledhje urgjente të Këshillit të Mandateve.
Përmes një letre zyrtare drejtuar kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali, grupi i PD kërkon që të mblidhet Këshilli “për të rivendosur autoritetin e Kuvendit të Shqipërisë, frenimin e akteve politike ndaj deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, dhe rikthimin e kushtetutshmërisë”, duke e cilësuar dënimin e Salianjit si një”hakmarrje politike”.
Kërkesa
Me një akt hakmarrës politik, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm, me vendim të datës 26 Shtator 2024, ka urdhëruar burgosjen e një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë, një zyrtari të opozitës, kolegut Ervin Salianji, për një krim të pakryer dhe për një çështje të fabrikuar nga segmente të caktuara të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë. Ky akt politik dhe që cenon themelet e shtetit demokratik, prek integritetin e Kuvendit të Shqipërisë dhe cenon mandatin e një deputeti të opozitës.
Po në një procedurë ekstra ligjore, pa autorizim të Kuvendit, me një nxitim të pa shpjegueshëm, Prokuroria po ndjek procedurën për arrestimin e deputetit të opozitës. Sipas nenit 73, pika 2, “Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në cfarëdo llojë forme, apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa AUTORIZIMIN e Kuvendit”. Këto veprime të organeve të drejtësisë, që cënojnë parimet bazë të shtetit të së drejtës, kanë krijuar një situatë alarmante të goditjes politike ndaj opozitës. Dënimi pa ligj e prova i deputetëve të opozitës, duke shpërfillur autoritetin e Kuvendit të Shqipërisë, duke shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, duke mos arsyetuar masat represive ndaj deputetëve të opozitës, është akt i paprecedentë në një shtet demokratik.
Për këtë arsye, në përputhje me nenin 73, pika 2 e Kushtetutës, dhe nenit 13 të Rregullores, kërkojmë mbledhjen urgjente të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, për të rivendosur autoritetin e Kuvendit të Shqipërisë, frenimin e akteve politike ndaj deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, dhe rikthimin e kushtetutshmërisë.
Burimi