Dënimi i deputetit/ Mblidhet Kryesia e PD-së, merrr pjesë edhe Salianji

Dënimi i deputetit/ Mblidhet Kryesia e PD-së, merrr pjesë edhe Salianji

Gjykata e Apelit dënoi këtë të enjte me 1 vit burg deputetin e Partisë Demokratike, Ervin Salianji. Duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, Salianji akuzohet për kallëzim të rremë për dosjen “Babalja”.
Ndërkaq pas këtij vendimi mësohet se nesër në mëngjes ligjvënësit demokrat do t’i caktohet me short prokurorit të ekzekutimeve dhe ai më pas do të bëjë procedurën e arrestimit dhe transferimit të tij në institucionet peniticiare sipas afateve ligjore.
Dhe ndërsa pritet që nesër të realizohet i gjithë ky proces, Ervin Salianji është futur në selinë blu për herë të fundit si deputet i Kuvendit të Shqipërisë.
Mbledhja e Kryesisë është thirrur nga Grupi Parlamentar për marrjen e një vendimi lidhur me atë se cilat do të jenë hapat që do të ndiqen nga opozita pas këtij vendimi. Pritet një aksion i fortë opozitar, jo vetëm në sallën e Kuvendit, por edhe në terren.
Fillimisht do të ketë një fjalë nga kreu demokrat Sali Berisha, që do të komunikojë përmes “Skype” me anëtarët e Kryesisë, dhe më pas mbledhja do të vijojë me dyer të mbyllura.
Kryesia pritet të miratojë hapat që do të ndjekë opozita, ndërsa gjatë ditës së premte pritet një mbledhje e Grupit Parlamentar të PD-së, që pritet të përcaktojë edhe strategjinë e opozitës në Kuvend, bazuar në vendimet që do të merren në Kryesinë e PD-së.
Gjatë pasdites së sotme mes Kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, dhe Kryeministrit Edi Rama janë shkëmbyer debate të forta në distancë, si dhe akuza dhe kundërakuza, ndërsa gjithçka nisi pas vendimit të Gjykatës së Apelit që dënoi deputetin Salianji.

gijotina.com/
Burimi