Denaj: Hapen aplikimet për skemën kombëtare të investimeve në bujqësi

Denaj: Hapen aplikimet për skemën kombëtare të investimeve në bujqësi

Nga sot të gjithë fermerët që kanë një NIPT, apo grupe fermerësh, mund të aplikojnë për të përfituar nga skema kombëtare e investimeve në bujqësi.
Lajmin e ka dhënë ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, e cila nëpërmjet një videomesazhi të shpërndarë në rrjetet e saj sociale, fton të gjithë fermerët të cilët plotësojnë kushtet e përcaktuara, të aplikojnë për të përfituar nga kjo skemë.
“Kam kënaqësinë të njoftoj sot hapjen e aplikimeve për Skemën Kombëtare të Investimeve në Bujqësi, një nismë e qeverisë shqiptare, e cila synon zhvillimin e ekonomisë bujqësore dhe modernizimin e kësaj të fundit”, u shpreh Denaj.
Ministrja informon se, fermerët kanë mundësi që përmes një fondi prej 1.5 miliardë lekësh të përfitojnë financim në formën e një granti prej 50 % të vlerës së investimit në ndërtimin e serrave diellore, në rritjen e mekanikës bujqësore, në rrjetat antibreshër, në nxitjen dhe zhvillimin e akuakulturës detare dhe në stabilimentet e mbarështimit të kafshëve dhe shpendëve.
Ajo ftoi të gjithë fermerët, të cilët kanë një nipt fermeri, shoqëritë tregtare, të cilat janë të angazhuara në këtë sektor dhe shoqëritë e bashkimit bujqësor, që duke filluar që nga dita e sotme të bëjnë aplikimet e tyre.
Denaj tha se “skema do të jetë përgjatë 5 javëve e hapur për të gjithë përfituesit nga veriu në jug, nga lindja në perëndim dhe për këtë ne do të nisim një komunikim të drejtpërdrejtë intensiv në 12 qarqet e vendit”.
Sipas saj, pikat agro janë aty për të dhënë të gjitha shpjegimet e duhura për të gjithë pyetjet e fermerëve, që janë duke pritur për të përfituar nga Skema Kombëtare, pasi është diskutuar dhe punuar përgjatë gjithë vitit.
Ministrja deklaroi se, “kjo është një skemë kombëtare që vijon skemën e fillimit të vitit, të subvencioneve të drejtpërdrejta dhe kështu kompleton një cikël të mbështetjes financiare, që Qeveria shqiptare ka dhënë dhe jep për një sektor shumë të rëndësishëm, i cili jo vetëm angazhon një numër të konsiderueshëm punonjësish, por mbi të gjitha është një motor i zhvillimit të ekonomisë tuaj familjare, ekonomisë së përgjithshme shqiptare dhe na bën krenarë sot në 80 tregje elitare”.
Denaj shprehu gatishmërinë për t’iu gjendur pranë fermerëve për çdo pyetje që kanë, me qëllim kryerjen e aplikimeve konform rregullave dhe vijimin sa më mbarë të procesit.
Burimi