Betonizimi i kryeqytetit/ Bashkia Tiranë rekord të ardhurash nga taksa e ndërtimit

Betonizimi i kryeqytetit/ Bashkia Tiranë rekord të ardhurash nga taksa e ndërtimit

Vit pas viti Taksa e Ndikimit në infrastrukturë (TNI) që vilet mbi ndërtimet e reja është duke u bërë furnitori kryesor i të ardhurave lokale në buxhetet bashkiake.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave burimi më i rëndësishëm në strukturën e të ardhurave të veta vendore në nivel kombëtar në vitin 2023 ishte taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja me 37% të totalit, e ndjekur nga taksat e pasurisë (18%), tarifa e pastrimit (13%) dhe të ardhurat jotatimore (9%).
Bashkitë rritën më tej varësinë ndaj TNI e cila zuri 37% te të ardhurave të veta vendore nga 33% në vitin 2022.
Në vitin 2023 u grumbulluan 13.1 miliardë të ardhura nga taksa e ndikimit në infrastrukturë me një rritje vjetore 30%. Të ardhurat nga ky zë shënuan gjithashtu rekord historik në vitin 2023.
Pavarësisht se në total ky burim është më i rëndësishmi për pushtetin vendor, në nivel njësie rreth 72.9% të ardhurave totale nga taksa e ndikimit në infrastrukturë e mbledh vetëm Bashkia Tiranë.
Burimet kryesore të e të ardhurave janë rritur në vlerë absolute, ndonëse pesha relative e tyre në strukturën e të ardhurave ka ndryshuar lehtësisht.
TNI përbën 48% të të ardhurave të veta në Tiranë, 65% në Kamëz, 52% në Kavajë, 49% në Himarë dhe 39% në Vorë dhe Sarandë, por Ministria e Financave vlerëson se ky burim të ardhurash nuk siguron qëndrueshmëri financiare në kohë, ndonëse zgjeron bazën e taksave të ndërtesës për të ardhmen.
Pavarësisht se Taksa e Ndikimit në infrastrukturë ka peshën më të madhe në të ardhurat e veta të pushtetit vendor, të ardhurat nga taksa e fjetjes në hotel kanë përjetuar rritjen më të lartë vjetore kundrejt vitit paraardhës, me 41% (408 milionë lekë në 2023 kundrejt 290 milionë në 2022), ndjekur nga taksa e ndikimit në infrastrukturë me 29% rritje (13 miliardë përkundrejt 10.1 miliardë në 2022) dhe “taksa të tjera”, 21% rritje.
Performanca në rritjen e të ardhurave nga taksat e pasurisë në vitin 2023 nuk ka shumë ndikim në të ardhurat vendore, duke qenë në të njëjtat nivele.
Ministria e Financave vlerëson se një ndër burimet më të rëndësishme si në këndvështrimin e peshës që ato zënë në totalin e të ardhurave të veta vendore, por gjithashtu edhe të qëndrueshmërisë e potencialit në rritje si burim financimi, janë të ardhurat nga taksat mbi pasurinë e paluajtshme.
Gjatë vitit 2023, pushteti vendor ka realizuar 6.18 miliardë lekë të ardhura nga tatimi mbi pasurinë, ku përfshihen taksa e ndërtesës (76%), taksa e tokës bujqësore (10%), taksa e truallit (4%) dhe taksa për transaksionet e pasurisë të paluajtshme (10%). 29 Taksat e ndërtesës zë 13% të të ardhurave të përgjithshme vendore, me një realizim prej 4.7 miliardë lekë në 2023, përkundrejt 4.5 miliardë në 2022.
Mesatarja kombëtare nuk është larg peshës së taksës së ndërtesës në shumicën e bashkive: në mbi gjysmën e bashkive, të ardhurat nga taksa e ndërtesës janë më pak se 12% e të ardhurave të veta.

/Monitor.al/
Burimi