Berisha zbulon pse u thirr në SPAK, Baton Haxhiu
Gazetari nga Kosova, Baton Haxhiu u paraqit më 9 Maj në SPAK, ku pas daljes deklaroi për mediat se kishte shkuar për të intervistuar një prej hetuesve dhe se nuk kishte lidhje me fletë-thirrje.
Intervista nuk u publikua kurrë dhe duket se nuk është realizuar fare, pasi nuk ka qenë ajo arsyeja e paraqitjes së tij në SPAK.
Gjatë fjalimit të mbajtur nl tubimin e sotëm, ku sulmoi SPAK-un dhe kreun e saj Altin Dumanin, kreu i PD-së Sali Berisha zbuloi dhe arsyen e thirrjes së gazetarit nga Kosova në Prokurorinë e Posaçme.
Sipas Berishës, Baton Haxhiu është marrë në pyetje pasi ka blerë shtëpinë e një biznesmeni, të cilit më herët ia kishte shitur kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Berisha e konsideroi këtë si akt të turpshëm nga SPAK, pasi tha se mund të pyetet vetëm blerësi i parë dhe se nuk ka punë blerësi i dytë.
“Ky thërret në prokurori për hetim Baton Haxhinë. E kuptoni ju kiminë time për Baton Haxhinë, por e thërret se ti ke blerë nga një biznesmen, një shtëpi të cilën atij ja kishte shitur, Ilir Meta. A ka akt më të turpshëm. Po mirë ti blerësin e parë do e pyesësh, por me të dytin çfarë ka lidhje ai, apo se dikur ka qenë e armikut Ilir Meta. Ua solla këtë shembull se sa i shpifur, se çfarë morali ka ky pervers, se si përdor ky hetimin dhe ligjin, për urdhërat e Edi Ramës.” – tha Berisha.
Burimi