
Berisha thirri protestë për mbylljen e “Tik Tok”-ut, Rama: I ka ikur mendja!
Kryeministri Edi Rama ka komentuar thirrjen e Sali Berishës, i cili ftoi gjimnazistët në një protestë kundër vendimit të qeverisë për mbylljen e “TikTok” nga qeveria.
Ish-kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar këtë vendim si një akt censure dhe ka bërë thirrje për protesta masive kundër qeverisë së Edi Ramës. Ai e ka prezantuar këtë çështje si një luftë për lirinë e shprehjes dhe u ka kërkuar të rinjve, nxënësve dhe studentëve që të dalin në protestë më 15 mars për të mbrojtur të drejtën e tyre për të përdorur TikTok-un.
Gjithashtu, Berisha ka bërë thirrje për një bojkot të pjesshëm të mësimit si një formë proteste kundër qeverisë. Ai ka sugjeruar që nxënësit të mungojnë në orën e parë të mësimit ditën e hënë si një shenjë kundërshtimi ndaj, siç e quan ai, “narkodiktaturës së Edi Ramës”. Sipas tij, censura është një hap drejt diktaturës dhe të rinjtë duhet të bëhen “luftëtarë” kundër saj.
Nga ana tjetër, Rama u shpreh se thirrja e Berishës është një sinjal se nga çfarë duhet të ruhen nënat shqiptare më 11 Maj, duke u kërkuar grave që të mbajnë burrat mbyllur në shtëpi ditën e zgjedhjeve.
“U ftuan fëmijët të mos shkojnë në shkollë e të protestojnë pse do të mbyllet TikTok. Kjo është një mënyrë që nuk ka nevojë për asnjë koment dhe argumentim, por që u thotë të gjitha nënave nëse janë socialiste apo demokrate, se nga çfarë duhet të ruhen më 11 maj dhe çfarë duhet të kenë parasysh. Në 11 maj kush voton duhet të ketë parasysh që ka në dorë të mbështesë Shqipërinë për të mos humbur asnjë ditë nga negociatat me BE-në. Thirrja e djeshme, tregon sa rreziqe të tjera mund të presim nga një mendje e ikur për terital. Kam një thirrje për gratë demokrate: Burrat mbajini në shtëpi në 11 maj, jo fëmijët pa shkollë”, tha Rama këtë të Shtunë gjatë një aktiviteti me rastin e 8 Marsit – Ditës Ndërkobëtare të Gruas.
Burimi