Berisha në SPAK për mbylljen e hetimeve, Argita Malltezi: Nuk e ka shkelur asnjëherë ligjin
SPAK ka njoftuar Sali Berishën dhe Jamarbër Malltezin se duhet të paraqiten të mërkurën për t’i njoftuar zyrtarisht përfundimin e hetimit.
Afati i mbylljes së hetimeve ishte data 2 tetor 2024. Edhe avokatët e Berishës dhe Malltezit do jenë të mërkurën në SPAK. Të dy kanë mohuar akuzat dhe kanë deklaruar se ato nuk qëndrojnë juridikisht dhe janë një goditje politike nga kryeministri Edi Rama.
Argita Malltezi: Berisha e ka shkelur asnjëherë ligjin
Vajza e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berishës, thotë se aktakuza ndaj babait të saj është një “dekoratë”, pasi ka bërë vetting-un 30-vjeçar të pasurisë së tij dhe të familjes së tij.
Argita Malltezi, në një konferencë për mediat këtë të hënë, shprehet se Berisha nuk e ka shkelur kurrë ligjin kur ka ushtruar funksione zyrtare dhe nuk ka përfituar në asnjë moment.
Sipas saj, Sali Berisha nuk ka favorizuar Jamarbër Malltezin për privatizimin e ish-kompleksit Partizani: “Aktakuza është “dekoratë” për Sali Berishën pasi ka bërë vetting-un 30-vjeçar të pasurisë së tij dhe familjarëve të tij dhe nga ky vetting rezulton se Berisha nuk ka shkelur ligjin dhe nuk ka pasur kurrë përfitim të paligjshëm. Nëse do të kishte pasur do të ishte në gjyq për këto shkelje apo përfitime dhe jo për tokën e gjyshes së Jamarbër Malltezit”.
Malltezi shtoi: “Kjo aktakuzë tregon falsifikimet që janë bërë nga ato që kanë qenë shtyllat kryesore të hetimit. Në radhë të parë në lidhje me pronën nuk kanë mundur të shtyhen në mashtrimin që çoi në arrestin e Berishës dhe Malltezit se gjoja ka qenë e shpronësuar nga Italia. Ne kemi vënë në dispozicion dokumentet që provonin kthimin e pronës dhe më pas kemi bërë publike dokumentet që lidhen me Fletoren Zyrtare”.
Burimi