Berisha: Në rrezik legjitimiteti i regjistrimeve në Sky ECC dhe Encro Chat, BE të ushtrojë presion
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për media ngriti alarmin në lidhje me faktin se sipas tij se organizatat kriminale dhe narkoshteti së bashku po bëjnë gjithçka kundër legjitimitetit të regjistrimeve të telefonatave të kriptuar.
“Ju drejtohem sot për të shprehur shqetësimin tim më të thelle në lidhje me përpjekjet për të vënë në pikëpyetje ligjshmërinë dhe efektivitetin e masave të përgjimit nga organet ligjzbatuese të vendeve partnere në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar, veçanërisht në kontekstin e regjistrimeve me Sky ECC, Encrochat”- tha Berisha.
Sipas Berishës, përdorimi i të dhënave të përgjimit me telefonat e kriptuar ka rezultuar një faktor vendimtar në shumë vende të BE-së, përfshirë Gjermaninë, Francën, Belgjikën dhe Holandën, në luftën kundër krimit të organizuar.
Berisha tha se bisedat dhe mesazhet e regjistruara ne gjuhe shqipe të transkriptuara arrijnë në rreth pothuaj 1 milion faqe.
“Fakti që Tirana është një qendër kryesore për këto aktivitete – madje brenda ndërtesave qeveritare – thekson domosdoshmërinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe masave të rrepta ne administrimin e tyre”– u shpreh Berisha.
Berisha rikujtoi se PD ka kërkuar krijimin e një Truth Commission, Komisioni i të Vërtetës, për të bërë transparencën e plotë të lidhjeve të politikës me krimin, që siç provojnë këto regjistrime, janë një sipërmarrje e përbashkët kriminale.
Kreu i PD-së tha se së fundmi edhe kreu i SPAK, Altin Dumani, ka vënë në dyshim përgjimet e kriptuara.
“Së fundi, po në këtë linjë, vlerën e tyre ligjore e vuri në dyshim edhe kreu i prokurorisë speciale duke u shprehur se ka probleme midis legjislacionit francez (që i ka pranuar ato) dhe legjislacionit shqiptar, duke vetëkuptuar kështu paligjshmërinë e tyre në Shqipëri. Kjo deklaratë e kryeprokurorit të prokurorisë speciale, Altin Dumani bëhet jo vetëm pasi gjykatat në Gjermani, Francë i kanë konsideruar dokumente ligjërisht të vlefshme, por edhe pasi Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut i njohu ato si ligjërisht të vlefshme”- tha Berisha.
Berisha kërkoj nga BE të mbajnë një qëndrim të qartë dhe të ushtrojnë presion.
“Kjo është një mundësi për BE-në dhe shtetet e saj anëtare, përfshirë Gjermaninë, të mbajnë një qëndrim të qartë dhe të ushtrojnë presion ndaj autoriteteve shqiptare”– tha Berisha.
Berisha po ashtu informoj se “sapo më njoftojnë se Gjykata Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut në Strasburg e ka klasifikuar rastin ‘Berisha’ si leading, pra të rëndësishëm, dhe e kanë komunikuar shumë shpejt këtë njoftim, pa pritur shterim të mjeteve të brendshme, për çka unë u jam shumë mirënjohës kësaj gjykate që është edhe garante kryesore e të drejtave të njeriut”.
“Besoj se avoketërit e mi do paraqesin aty të gjithë vërtetat e sistemit politik, e shndërrimit të drejtësisë në një armë politike në Shqipëri. Shpreh besimin tim të plotë në vlerësimet dhe gjykimet e kësaj organizate, garante e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, konventë që i bën qytetarët europianë më të lirë se kurrë në historinë e tyre. Duke përfunduar, ftoj qytetarët shqiptarë edhe njëherë, nesër në ora 5, marshim në Tiranë, Tirana në duart e qytetarëve”, u shpreh Berisha.
“Nga të katër anët sirenat e ndryshimit, sirenat e fitores së opozitës po ushtojnë. Këto sirena kërkojnë nga ne, qytetarët opozitarë, të meritojnë plotësisht këtë fitore me aksionin tonë, me veprimin tonë, me mosbindje civile”, tha Berisha.
Burimi