Berisha: Kush do postin e kryeministrit, pas zgjedhjeve të futet në garë me mua
Mbyllja zyrtarisht e hetimeve për Sali Berishën dhe dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, për çështjen “Partizani”, kalon procesin në një etapë tjetër, atë të përballjen në gjykatë.
Teksa ditët po afrojnë për të nisur seancat e para gjyqësore, ish-kryeministri në një intervistë ekskluzive në emisionin “Debat” në A2 CNN zbulon nëse do të jetë prezentë para togave të zeza në sallën e gjyqit apo do të përfaqësohet me avokatët.
“Detyra e çdo njeriu është të luftojë për shtetin ligjor, ndaj edhe unë kam ndjekur procesin ligjor. A do të shkojë apo jo në gjykatë, kjo do të varet nga konsulta që do të kem me avokatët. Mund të shkoj, s’kam asnjë lloj problemi, por sipas rasti”, tha Berisha
Paralelisht me procesin gjyqësor, Partia Demokratike do të duhet të përballet me mazhorancën socialiste në zgjedhjet e vitit 2025. Në nisje të këtij sezoni politik në vjeshtë, demokratët kanë parashtruar dhe kërkesat e tyre për zgjedhje të lira dhe qeveri teknike.
Por nëse nuk arrihen dot këto kërkesa a ka një plan B, Sali Berisha? “Nuk mund të besoj të pabesueshmen, qeveria teknike është plotësisht e realizueshme. Shqiptarët duhet ta dinë se përpara kanë një kalbësirë që duket i fortë, por që shpërbëhet nga një lëvizje e fuqishme me shpejtësinë më të madhe. Ne do ta heqim Edi Ramën për të hyrë në zgjedhje”, tha Sali Berisha.
E nëse ky skenar i kreut të PD vihet në zbatim, cili do të jetë emri i kryeministrit të ri? Sali Berisha prej kohësh ka zbuluar idenë e tij e një gare mes demokratëve, ku secili që aspiron për këtë post duhet të garojë me të pas fitores së zgjedhjeve. Berisha përsërit ftesën për këdo që ta sfidojë.
“Normalisht, me Kushtetutë dhe me çdo gjë i takon fitimtarit posti i kryeministrit, por cilido të vijë ta provojë, të bëjmë një referendum. Në garë do të jetë Sali Berisha dhe ai që dëshiron”.
Teksa fton demokratët që të bashkohen të gjithë nën siglën e Partisë Demokratike, lideri i opozitës, tregon që po zhvillohen negociata me të gjitha forcat aleate për të arritur marrëveshje për zgjedhjet e 2025. “Zoti Meta është një aleat i çmuar dhe ai përbën sot partinë e dytë më të madhe opozitare”, tha Sali Berisha
Burimi